Pikat kryesore
- Me hartimin e projektligjit të ri “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, qeveria synon të vendosë një standard të ri jo vetëm në rregullat e sigurisë, por edhe në mënyrën se si do të ndëshkohen abuzuesit.
- Sipas Relacionit shpjegues të draftit (Kreu IX, Nenet 63 deri në 66), sistemi i sanksioneve është ristrukturuar tërësisht.
- Ndonëse relacioni nuk detajon vlerat specifike monetare të gjobave (të cilat përcaktohen në nenet specifike të vetë ligjit), ai qartëson mekanizmin e ri, i cili bazohet te proporcionaliteti dhe rreziku.
Me hartimin e projektligjit të ri “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, qeveria synon të vendosë një standard të ri jo vetëm në rregullat e sigurisë, por edhe në mënyrën se si do të ndëshkohen abuzuesit. Sipas Relacionit shpjegues të draftit (Kreu IX, Nenet 63 deri në 66), sistemi i sanksioneve është ristrukturuar tërësisht. Ndonëse relacioni nuk detajon vlerat specifike monetare të gjobave (të cilat përcaktohen në nenet specifike të vetë ligjit), ai qartëson mekanizmin e ri, i cili bazohet te proporcionaliteti dhe rreziku. Gjobat, ndëshkim sipas kategorisë së rrezikut Ndryshimi më i madh në raport me ligjin e vjetër (të vitit 2012) është se sanksionet nuk do të jenë më standarde apo të përgjithshme. Gjobat dhe masat do të jepen bazuar në një analizë të detajuar të shkeljes. “Ndryshimi kryesor është ristrukturimi i sistemit të sanksioneve sipas nivelit të rrezikut dhe përgjegjësisë konkrete të pjesëmarrësit, duke mundësuar masa më proporcionale dhe më të lidhura me shkeljen.”, theksohet në relacion. Sipas dokumentit, masa e sanksionit do të përcaktohet nga katër elemente kyç: Subjekti përgjegjës: Kush e bëri gabimin (dërguesi, transportuesi, ambalazhuesi apo shoferi). Natyra e detyrimit: Çfarë rregulli i marrëveshjes ADR/RID u shkel. Kategoria e rrezikut: Sa i rëndë ishte rreziku i krijuar për jetën, pronën apo mjedisin. Përsëritja e shkeljes (Recidivizmi): Nëse subjekti është kapur edhe më parë në të njëjtën shkelje. Masat administrative plotësuese, rreziku i humbjes së licencave Përveç gjobave financiare, të cilat pritet të jenë të ashpra për shkeljet me rrezik të lartë, projektligji parashikon “masa administrative plotësuese”. Kjo do të thotë se subjektet rrezikojnë të mbyllin aktivitetin e tyre nëse nuk zbatojnë rregullat teknike të sigurisë. Autoritetet që do të japin ndëshkimet Projektligji i ndan qartë kompetencat për vendosjen e gjobave dhe masave. Në varësi të natyrës së shkeljes, sanksionet mund të vendosen nga strukturat e Policisë Rrugore (gjatë kontrolleve në rrugë), Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore (për trenat), Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), apo inspektoratet teknike si ISHTI dhe autoritetet doganore. Për çdo sanksion të vendosur, ligji parashikon gjithashtu të drejtën e ankimit administrativ nga ana e subjekteve, si dhe procedurat e sakta për ekzekutimin e vendimeve.