Pikat kryesore
- Në një moment kritik për drejtësinë, në një vend ku betejat kundër korrupsionit kanë prekur majat e politikës, ekonomisë dhe institucioneve shtetërore, për Prokurorinë e Posaçme është hapur një kapitull i ri.
- Pas një prezantimi të gjatë publik, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjedh me shumicë votash Klodjan Brahon, si drejtues të ri të SPAK.
- Prokurorin që për vite me radhë ka hetuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë.
Në një moment kritik për drejtësinë, në një vend ku betejat kundër korrupsionit kanë prekur majat e politikës, ekonomisë dhe institucioneve shtetërore, për Prokurorinë e Posaçme është hapur një kapitull i ri. Pas një prezantimi të gjatë publik, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjedh me shumicë votash Klodjan Brahon, si drejtues të ri të SPAK. Prokurorin që për vite me radhë ka hetuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Një emër jo shumë i ekspozuar publikisht, por një dorë që ka firmosur dosje të mëdha, dosje të rënda por ndonjëherë edhe të debatueshme. Por mandati i Klodjan Brahos vjen edhe me sfida të tjera. Jo vetëm për ruajtjen e standardeve dhe trashëgimisë së drejtuesit aktual, Altin Dumani, në hetime dhe qëndrime të forta, por edhe sepse korrespondon me 3-vjecarin që çon në ripërtëritjen e SPAK. Në fund të këtij 3-vjecari, me ligjin aktual, nga Struktura e Posaçme, do të duhet të largohet jo vetëm Klodjan Braho, por edhe 10 prokurorë të tjerë të posaçëm që janë emëruar në dhjetor të vitit 2019. E si drejtues, ai do të duhet të sigurojë kolegët për të ardhmen e tyre. Ligji thotë se pas përfundimit të mandatit në strukturën e posaçme, prokurorët rikthehen në detyrat që kanë mbajtur, por pjesa më e madhe e tyre vijnë nga një prokurori që tashmë është shkrirë, Prokuroria për Krime të Rënda. Këtë paqartësi të ligjit, kreu në ikje i SPAK, Altin Dumani, e ka ngritur si shqetësim, në mënyrë që ligji të plotësohet, pasi në të kundërt, këta prokurorë, nuk do të kenë një vend në sistem. Duke parë nga e ardhmja, Dumani po ashtu, në disa dalje publike, kërkoi mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK, edhe pas mandatit 9-vjeçar. Por teksa Dumani kishte kohë, pasardhësit të tij Braho, do t’i duhet që t’i çojë para këto kërkesa brenda 3 viteve, ku së paku të sigurojë që prokurorët e posaçëm pas mandatit, ta kenë të qartë fatin e tyre. E me gjithë sfidat me të cilat do të përballet gjatë mandatit të tij 3-vjeçar si drejtues i SPAK, mesa duket Braho ka dhe një tjetër lupë që do e vëzhgojë gjatë kësaj detyre. Ndërkombëtarët. Ashtu si dikur Yuri Kim vëzhgoi nga afër zgjedhjen e Altin Dumanit, edhe procesi i pasardhësit të tij nuk i shpëtoi vëmendjes së përfaqësive diplomatike. Ata ishin aty për të parë e mesa duket edhe për të fituar. Pasi sinjalet se Klodjan Braho ishte i preferuari i tyre, i kishin dhënë që nga shtatori. Madje duket se për ta kujtuar një detaj të tillë, diplomatët amerikanë e bënë thuajse të qartë, kur një ditë para zgjedhjes në KLP, kishin ribotuar fotografinë e një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, në zyrën e Brahos në SPAK. Surprizat duket se u hoqën që në nisje të procesit mëngjesin e 12 dhjetorit 2025, kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që votimi për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme të ishte publik dhe jo i fshehtë. Pra me 7 vota, nga 11 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Klodjan Braho zgjidhet drejtues i SPAK. Detyrë që do ta marrë zyrtarisht më 19 dhjetor 2025, pasi të mbarojë përfundimisht mandati i Altin Dumanit. Por kush është në të vërtetë Klodjan Braho? Cili është profili i paautorizuar i njeriut që nga 19 dhjetori do të udhëheqë institucionin më të fuqishëm të drejtësisë shqiptare? Ky dokumentar ndjek gjurmët e karrierës së tij. Dosjet e tij më të forta, betejat, dështimet, presionet dhe prioritetet që ai ka vendosur si busull për vitet e ardhshme. Nga hetimet që kanë rrëzuar ministra, te çështjet që gjykata ia ktheu për plotësim. Nga lufta me korrupsionin e lartë, te sfidat e një institucioni që kërkon t’i tregojë vendit se askush nuk është mbi ligjin. Klodjan Braho, 44 vjeç, nga Skrapari, i cili ka qenë një prej figurave kryesore të SPAK-ut, është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 2007. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës, ai u emërua prokuror në vitin 2007. Karrierën e nisi në Prokurorinë e Beratit, ku qëndroi në detyrë deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë edhe një periudhë si zëvendësdrejtues i organit të akuzës atje. Nga Vlora, ai u transferua më tej në Prokurorinë për Krime të Rënda, në Tiranë, ku u përfshi në hetimin e disa çështjeve të rëndësishme. Në korrik të vitit 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë me vendimin nr. 191, duke i hapur rrugë emërimit në SPAK. Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.