Një incident i pazakontë është bërë publik përmes një denoncimi të mbërritur në redaksinë e JOQ. Një qytetar ka ngritur akuza ndaj ish-konkurrentit të “Për’puthen”, Serxho Mënga, i cili sipas tij është larguar nga një apartament i marrë me qira në Airbnb pa kryer pagesën.
Sipas pronarit të apartamentit, Serxho ka qëndruar për disa ditë në banesë, por më 31 janar është larguar duke premtuar se do të kthehej shpejt, me justifikimin se po çonte makinën e një shoqeje në servis. Për të fituar besimin e pronarit, ai i ka dërguar fotot e pasaportës dhe patentës, si shenjë “serioziteti”.

Por, sipas denoncuesit, situata mori një tjetër rrjedhë. Më 1 shkurt, Serxho është kthyer në apartament, sërish pa kryer pagesën, dhe më pas është zhdukur totalisht. Pronari ka tentuar disa herë ta kontaktojë në telefon dhe mesazhe, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“I kam dhënë disa ditë kohë, e kam paralajmëruar se do publikoj gjithçka nëse nuk përgjigjet, por ai ka zgjedhur të heshtë”, shprehet pronari i apartamentit. Përmes denoncimit të tij publik, ai i bën thirrje Serxho Mëngës që të marrë përgjegjësinë dhe të shlyejë detyrimin financiar.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta në rrjete sociale, duke rikthyer vëmendjen tek personazhet e njohur të ekraneve dhe përgjegjësia e tyre ndaj publikut dhe angazhimeve private.