Juristja e medias, Flutura Kusari, ka ngritur shqetësime serioze për ndërhyrjen politike të Lëvizjes Vetëvendosje në Radio Televizionin e Kosovës, duke e cilësuar si një nga format më të ashpra të censurës dhe tentativave për kapje të transmetuesit publik.
Në një intervistë për Gazeta Blic, Kusari theksoi se pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, gjashtë muajt e parë nuk kishte shenja të tendencave për censurë, por se tashmë, pas disa vitesh në pushtet, po shihet një përpjekje e kulmuar për ta vënë RTK-në nën kontroll të plotë.
“Kapja ende nuk ka ndodhur, por ka censurë dhe presion të vazhdueshëm ndaj gazetarëve.
Po përdoren njerëz brenda RTK-së që i shërbejnë pushtetit, me qëllim që të mos ketë kritika ndaj qeverisë dhe që televizioni publik të shndërrohet në propagandë për VV-në,” tha Kusari.
Ajo e cilësoi si të kundërligjshme tentativën për largimin e gjashtë redaktorëve nga ekrani, e bërë kjo përmes ndryshimeve të skemës programore, pa vendim të bordit dhe në kundërshtim me kontratat e punës.
Sipas saj, ky veprim rrezikon jo vetëm pavarësinë editoriale të RTK-së, por edhe proceset demokratike në vend.
Kusari bëri të ditur se sot Avokati i Popullit ka pranuar gazetarët e RTK-së në një takim të gjatë, ku u prezantuan rastet e censurës dhe shkeljes së të drejtave.
Sipas saj, Avokati ka premtuar fillimin e një hetimi, të cilin ajo e cilësoi si “arritje në vetvete”.
Në përfundim, ajo theksoi se prioritetet e këtyre hetimeve janë dy: dokumentimi i ndërhyrjeve politike në transmetuesin publik dhe rikthimi i gjashtë redaktorëve në ekran para nisjes së fushatës zgjedhore, për të garantuar raportim të drejtë e të paanshëm.
*Shëndeti gjinekologjik është një pjesë thelbësore e mirëqenies së çdo gruaje, në çdo fazë të jetës.