Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet intensive për ndeshjen play-off të Kampionatit Botëror 2026 kundër Polonisë, ndërsa atmosfera në kampin kuqezi është e lartë dhe motivuese.
Mbrojtësi Elseid Hysaj ka folur për rëndësinë e sfidës dhe motivimin e skuadrës: “Tani e kemi në dorë ne që të tregojmë që ia vlen. Kërkojmë që të gjejmë edhe një Botëror për Shqipërinë, sepse duhet t’ia falim Shqipërisë. Të gjithë jemi të kënaqur që kemi arritur play-off. Kjo mundësi kemi, është një ëndërr që herë realizohet herë jo, por ne duhet të besojmë. Tani është ndeshje e rëndësishme, pastaj është ndeshja e jetës.”
Ndërsa mesazhin e tij motivues ka dhënë edhe mesfushori Qazim Laçi, i cili theksoi rëndësinë e detajeve dhe përkushtimit: “Detajet e vogla bëjnë diferencën, mënyra si ne futemi në lojë. Ne do futemi në ndeshje nga minuta e parë, që ta mbarojmë ndeshjen sa më shpejt.”
Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë seanca stërvitore në Tiranë gjatë ditëve në vijim, përpara se të udhëtojë drejt Varshavës të mërkurën për këtë ndeshje vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026.