Pikat kryesore
- Interesi i të huajve për Shqipërinë po rritet nga viti në vit.
- Operatorët turistikë thonë se, krahas sezonit veror, Shqipëria po tërheq vizitorë edhe në stinën e dimrit.
- Europianët janë ata që kanë shfaqur më shumë interes për të vizituar vendin tonë në këtë fundvit.
Interesi i të huajve për Shqipërinë po rritet nga viti në vit. Operatorët turistikë thonë se, krahas sezonit veror, Shqipëria po tërheq vizitorë edhe në stinën e dimrit. Europianët janë ata që kanë shfaqur më shumë interes për të vizituar vendin tonë në këtë fundvit. “Për fundvit vijnë nga tregjet që kemi më afër, Italia dhe Greqia; gjithashtu nuk ngelet pas Gjermania dhe Polonia. Ne po shohim që është rritur shumë interesi i të huajve për Shqipërinë, madje edhe nga vende si Qipro, Malta dhe vende të tjera që janë kurioze për të vizituar Shqipërinë”, thotë Fjorida Zani, operatore turistike. “Kjo për shkak të linjave direkte, por edhe të çmimeve që janë konkurruese. Të rinjtë e huaj janë ata që kryesojnë në tregun turistik shqiptar”, shprehet Zani. Krahas kryeqytetit, qytetet me trashëgimi kulturore dhe historike mbeten destinacionet kryesore. “Tirana kryeson pasi është një qytet shumë i gjallë; qytetet e UNESCO‑s mbeten kryesore për t’u vizituar, gjithashtu edhe Kruja”, shton ajo. Rritja e numrit të vizitorëve të huaj gjatë gjithë vitit është një tregues pozitiv për ekonominë dhe zhvillimin e sektorit të turizmit në Shqipëri. Për këtë arsye, operatorët turistikë kërkojnë të tregohet më shumë vëmendje ndaj këtij sektori.