Pikat kryesore
- Është nën akuzë se pas “vjedhjeve” në buxhetin e shtetit po u vjedh edhe aleatët opozitës.
- Madje pak javë më parë ishte nën akuzë që kishte mik edhe Orbanin dhe Zelenskyn, por ai na la dhe e lehtësoi këtë debat.
- Ky lloj makthi kombëtar pse kryeministri përpiqet ta ketë mirë me gjithë botën është ndoshta i vetmi në llojin e vet në glob.
Edi Rama po akuzohet për një korrupsion të, tanimë politik. Është nën akuzë se pas “vjedhjeve” në buxhetin e shtetit po u vjedh edhe aleatët opozitës. Kështu kanë nisur prej dy ditësh të alarmohen pse ky shkon nga Bordi i Paqes tek kryeministri spanjoll antitrumpist, pse del në foto me Sorosin, pastaj shkon tek Princi i Arabisë Saudite, pse takon Erdoganin dhe pastaj ikën në Greqi me Micotaqisin. Madje pak javë më parë ishte nën akuzë që kishte mik edhe Orbanin dhe Zelenskyn, por ai na la dhe e lehtësoi këtë debat. Ky lloj makthi kombëtar pse kryeministri përpiqet ta ketë mirë me gjithë botën është ndoshta i vetmi në llojin e vet në glob. Shqipëria është jo vetëm një vend i vogël dhe i parëndësishëm në politikën globale, por mbi të gjitha një vend i rrezikuar nëse nuk përpiqet maksimalisht të mos ketë armiq që i cenojnë sigurinë kombëtare apo që i dëmtojnë zhvillimin ekonomik. I gjithë ky frustrim opozitarësh nuk vjen nga fakti se Edi Rama po bën hatanë me ato takime, por nga projeksioni që ata kanë në kokë për pritshmëritë që kanë krijuar tek elektorati i tyre se do të vijnë në pushtet nga raportet ndërkombëtare, kryesisht me ardhjen e Trumpit në pushtet. Trumpi aq sa kishte mundësi i ndihmoi. U dërgoi LaCivitën, me çmim të arsyeshëm, por ai nuk prodhon vota, fushatë prodhon. Atë s’e bëri keq. Votat i kanë në dorë shqiptarët, nuk i ka LaCivita. Duke e sulmuar Ramën “si vjedhës aleatësh”, ata nuk është se forcohen për vete, por thjesht sa ekspozojnë më shumë pafuqinë e tyre për të normalizuar raportet politike me Perëndimin. Në Bullgari, dy ditë më parë, kryetari i partisë që është non grata në SHBA dhe në Britaninë e Madhe mori gjashtë për qind. Politikan i njohur është edhe ai, por njerëzit shikojnë perspektivën politike. Dhe opozita shqiptare nuk e ka problemin që nuk fiton se “Rama e dredh me të gjithë”, problemin e ka që nuk ia “dredh” dot Berishës dhe të gjejnë një lider tjetër të fitojnë. Deri atëherë kanë mundësi të masturbojnë si intelektualë dhe të bëjnë analiza gjeopolitike, se si Rama shkon nga bordi i Trumpit për Gazën, tek bordi i Sanchez kundër Trumpit, pastaj tek ky saudit kundër Iranit, tek Micotaqis, pro Belerit, e kështu me radhë. Edi Rama është ai që është kryeministri i Shqipërisë në këto aleanca dhe jo kryetar i PS. Dhe si kryeministër, ai nuk ka vendosur të shpërndajë idetë e socializmit në botë, se edhe ashtu është i paqartë për to. Opozita le ta thotë opsionin e saj si e do kryeministrin: me Trumpin, me Sanchezin, me BE-në, me botën arabe? Ta dimë të paktën se ç’mendojnë ata për botën, meqë kryetari i tyre ka kufizime në viza.