Pikat kryesore
- Portieri belg, që ka qenë pjesë e Chelsea-t nën drejtimin e Mourinhos, u shpreh se marrëdhënia e tyre ka qenë përgjithësisht shumë e mirë, edhe pse nuk kanë munguar herë pas here mosmarrëveshjet.
- 34-vjeçari rikujtoi një episod nga koha te Chelsea, kur tekniku portugez vendosi ta linte në bankë pas një ndeshjeje jo bindëse.
- “Kemi pasur edhe përplasjet tona herë pas here”, tha Courtois duke qeshur.
Thibaut Courtois ka treguar se në të kaluarën ka pasur disa momente përplasjeje me Jose Mourinhon, megjithatë ai nënvizoi se vazhdon ta çmojë stilin e hapur dhe të drejtpërdrejtë të trajnerit portugez në raport me futbollistët. Gjatë këtij muaji, Mourinho u zyrtarizua si trajneri i ri i Real Madridit, duke u kthyer sërish në “Santiago Bernabeu”, aty ku më parë drejtoi skuadrën nga viti 2010 deri në 2013 dhe fitoi një titull të La Ligës si edhe një Kupë të Mbretit. Sidoqoftë, jo të gjithë e kanë pritur me të njëjtin entuziazëm rikthimin e 63-vjeçarit, pasi mes tifozëve dhe analistëve vazhdojnë të ekzistojnë pikëpyetje për personalitetin e tij të fortë dhe mënyrat me të cilat ai punon. Portieri belg, që ka qenë pjesë e Chelsea-t nën drejtimin e Mourinhos, u shpreh se marrëdhënia e tyre ka qenë përgjithësisht shumë e mirë, edhe pse nuk kanë munguar herë pas here mosmarrëveshjet. “Mourinho është një trajner shumë i drejtpërdrejtë. Edhe unë jam i tillë. Marrëdhënia jonë ka qenë gjithmonë shumë e mirë”. 34-vjeçari rikujtoi një episod nga koha te Chelsea, kur tekniku portugez vendosi ta linte në bankë pas një ndeshjeje jo bindëse. “Kemi pasur edhe përplasjet tona herë pas here”, tha Courtois duke qeshur. “Për shembull, ai më la në stol kundër Evertonit sepse në ndeshjen paraprake ndaj Aston Villas kisha gabuar në dy topa të krosuar. Ishte mënyra e tij për të më provokuar. Javën tjetër u riktheva në portë kundër West Hamit dhe bëra pesë ose gjashtë pritje vendimtare”. Në të njëjtën konferencë, gardiani belg preku edhe çështjen e së ardhmes së tij, duke bërë të qartë se dëshira e tij është ta mbyllë karrierën si lojtar i Real Madridit. “Për mua, ideale do të ishte ta përfundoja karrierën në Madrid”. “Te Real Madridi ekziston parimi që pas moshës 30-vjeçare kontratat rinovohen vit pas viti, kështu që jam mjaft i qetë. Nëse vazhdoj të performoj si deri më tani, rinovimi nuk do të jetë problem. Por Real Madridi është një klub i nivelit më të lartë dhe në një moment do të duhet të mendojë edhe për pasardhësin tim”.