Pikat kryesore
- Indeksi i besimit të sektorit të ndërtimit, që mat prishmëritë e sektorit për porositë, çmimet, normën e shfrytëzimit të kapaciteteve etj ishte në nëntor në nivelin më të ulët në 3 vjet.
- Indeksi, që matet nga Banka e Shqipërisë në kuadrin e indeksit të besimit të ekonomi u bën ndërtuesve pyetje të tilla si: -Si ka qenë aktiviteti juaj ndërtues gjatë 3 muajve të kaluar?
- -Cilët janë faktorët kryesorë që kufizojnë aktivitetin tuaj ndërtues?
Indeksi i besimit të sektorit të ndërtimit, që mat prishmëritë e sektorit për porositë, çmimet, normën e shfrytëzimit të kapaciteteve etj ishte në nëntor në nivelin më të ulët në 3 vjet. Indeksi, që matet nga Banka e Shqipërisë në kuadrin e indeksit të besimit të ekonomi u bën ndërtuesve pyetje të tilla si: -Si ka qenë aktiviteti juaj ndërtues gjatë 3 muajve të kaluar? -Cilët janë faktorët kryesorë që kufizojnë aktivitetin tuaj ndërtues? -Si i vlerësoni porositë (kontratat porositëse) aktualisht? -Si parashikohet ecuria e situatës së biznesit tuaj në të ardhmen -Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm? -Në çfarë mase po e shfrytëzoni aktualisht kapacitetin tuaj prodhues? -Si ka qenë gjendja financiare e firmës tuaj gjatë 3 muajve të kaluar? Sipas Bankës, Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u ul me 3.1 pikë përqindje në muajin nëntor, duke zbritur në -8.9, niveli më i ulët që nga nëntori 2022, duke treguar që gjithnjë e më shumë ndërtues janë pesimistë për të ardhmen e sektorit. Sipas metodologjisë së Bankës së Shqipërisë treguesi i balancës merr vlera midis -100 dhe +100. Një tregues mbi 0 tregon për një numër më të madh të përgjigjeve pozitive sesa negative, në një periudhë të caktuar. Pritshmëritë kanë ndryshuar në raport me 2024-n, kur balanca në pjesën më të madhe të muajve ishte pozitive. Megjithatë Banka thekson se aktualisht, niveli i tij është 14.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Në rënien mujore ndikuan të dy komponentët: vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale. Pritjet për çmimet vazhduan të bien këtë muaj. Balanca e përgjigjeve për pyetjen e kontratave porositëse ishte negative prej -30, që tregon se më shumë ndërtues presin që të ketë më pak porosi, në raport me ata që presin rritje. Ky është niveli më i ulët që nga tetori 2022. Bizneseve u bëhet pyetja: Si i vlerësoni porositë (kontratat porositëse) aktualisht? 1. Mëse mjaftueshëm (mbi normalen); 2. Mjaftueshëm (normal për sezonin); 3. Jo mjaftueshëm (nën normalen). Edhe pritshmëria për çmimet është në rënie, ndonëse balanca mbetet pozitive prej 8.6, por në rënie nga muajt e mëparshëm kur treguesi ishte mbi 10. Kjo do të thotë që është shtuar numri i ndërtuesve që presin rënie të çmimeve, megjithëse ata që mendojnë se çmimet do të rriten janë më shumë se ata që mendojnë se çmimet do të ulen. Kompanive u bëhet pyetja: Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm? 1. Do të rriten; 2. S’do të ndryshojnë; 3. Do të bien. Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë se pas një rritjeje vitet e fundit, kontributi i ndërtimit në rritjen ekonomike po bie. Në vitin 2023, ndërtimi solli gati një të tretën e rritjes, ndërsa në 2024-n, kontributi zbriti në 13%. Çmimi mesatar i banesave në Tiranë ka arritur në rreth 2 mijë euro për metër katror, duke u trefishuar në krahasim me dy dekada më parë dhe duke e bërë kryeqytetin shqiptar ndër më të papërballueshmit në Europë, në raport me fuqinë blerëse, sipas të dhënave të Numbeo, duke qenë një faktor shtesë që ka rritur koston e jetesës, krahas produkteve ushqimore. Pavarësisht frenimit të porosive, ndërtimet pritet të vijojnë, bazuar në lejet e shumta që vazhdojnë të jepen për qiellgërvishtës.