Pikat kryesore
- Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Luginën e Preshevës.
- Presidenti Begaj përcolli mesazhe për bashkëpunim, unitet të faktorit politik dhe përpjekje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këto troje.
- Kreu i Shtetit i inkurajoi liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Luginën e Preshevës. Presidenti Begaj zhvilloi takime të veçanta me Kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, me të cilët bisedoi për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë. Presidenti Begaj përcolli mesazhe për bashkëpunim, unitet të faktorit politik dhe përpjekje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këto troje. Kreu i Shtetit i inkurajoi liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Begaj i përforcoi këto mesazhe edhe gjatë një fjalimi të mbajtur para qytetarëve në Preshevë me rastin e çeljes së Panairit të Librit Shqip 2026. Gjatë kësaj fjale, Presidenti i Republikës garantoi mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare. “Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen, shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen”, tha Begaj. Presidenti Begaj rikonfirmoi se shqiptarët janë faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor dhe se mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Preshevë është pjesë e standardeve evropiane për të drejtat dhe diversitetin kulturor. “Identiteti shqiptar është ndërtuar mbi vlera evropiane, mbi respektin për lirinë, dinjitetin njerëzor, bashkëjetesën, shtetin e së drejtës dhe kulturën e dialogut. Prandaj, mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës nuk është çështje nostalgjie, nuk është vetëm çështje kombëtare, është pjesë e vetë sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave, është pjesë e vizionit tonë si komb për të ardhmen”, tha Begaj. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj iu drejtua të rinjve të Preshevës, duke i ftuar që shqipen ta bëjnë gjuhë të dijes, profesionit dhe suksesit, jo vetëm gjuhë familjare. “Një mesazh sot e kam për ata fëmijë dhe të rinj të pranishëm. Ju jetoni në një kohë kur dija është më e arritshme se kurrë më parë, por edhe kur sfida për të ruajtur identitetin është edhe më komplekse. Gjuha shqipe në këto troje është një pasuri e gjallë dhe e patjetërsueshme, është një investim strategjik për të ardhmen e kombit. Gjuhën shqipe ta përdorni jo vetëm si gjuhë të familjes dhe për të ruajtur traditën, por edhe si gjuhën e dijes, të profesionit, të krijimtarisë dhe të suksesit tuaj këtu në Luginë, sepse një gjuhë jeton vërtet kur shkruhet, lexohet dhe kur krijon dije dhe frymëzon breza”, tha ai. Kreu i Shtetit u zotua se do të vazhdojë të jetë avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare. “Dua t’ju siguroj se institucioni që përfaqësoj do të mbetet gjithmonë një mbështetës i nismave që forcojnë bashkëpunimin kulturor, promovojnë librin në gjuhën shqipe dhe krijojnë ura komunikimi ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë”.