Pikat kryesore
Në një njoftim të publikuar në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë thuhet se “nisur nga situata e trafikut të rënduar në autostradën Tiranë–Durrës, si pasojë e ndërhyrjeve për riparimin e shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, ka hartuar një Plan të ri të Menaxhimit të Trafikut me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë rrugore gjatë fazës së punimeve”. Sipas këtij plani, duke filluar nga sonte, datë 14 tetor, në orën 23:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, do të zbatohet bllokimi i përkohshëm i qarkullimit në drejtimin Vorë–Durrës, në këto segmente: – Mbikalimi i Shkozetit – Ura e Dajlanit Kohëzgjatja e punimeve parashikohet të jetë 1 deri në 2 ditë për çdo segment, në varësi të kushteve atmosferike dhe progresit të punës. ARRSH në njoftimin e saj thekson se ndërhyrja në këtë aks rrugor është e domosdoshme për rehabilitimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për përdoruesit. Institucioni kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar të përdorin rrugët alternative në oraret e planifikuara të punimeve, për të kontribuar në mbarëvajtjen e procesit.