Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Soni Pepa, i njohur si Vilson Pepa, është ekstraduar nga Republika Domenikane, ku ishte shpallur i kërkuar për trafik droge nga Interpoli. Ai është pjesë e grupit të njohur të Ervis Çelës dhe Franc Çopjas. Policia e Shtetit njofton se operacioni i koduar “The Wanted” ka përfunduar me sukses, duke mundësuar ekstradimin e tij nga Punta Cana në Shqipëri.
Pepa, 41 vjeç, ka lindur në Lushnjë dhe është shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg” për akuzat e trafikimit të narkotikëve dhe veprave të tjera penale që lidhen me organizatat kriminale.
Arrestimi i tij në Republikën Domenikane u realizua falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Shqipëri dhe bashkëpunimit me Interpol Santo Domingo. Pas përfundimit të procedurave, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në vendin tonë.
Soni Pepa është i lidhur me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, një pjesë e së cilës, 600 kilogramë, u sekuestrua në Roterdam, Holandë, në nëntor 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kilogramëve të tjerë të drogës. Raportet ndërkombëtare e përshkruajnë atë si pjesë të një grupi kriminal transnacional që operonte në disa vende evropiane dhe të Amerikës së Jugut, me qëllim trafikimin e sasive të mëdha të narkotikëve. Ngarkesa e sekuestruar ishte nisur nga porti i Villetas në Paraguai me destinacion portin e Antverpit në Belgjikë.