A mund të mbyllet reforma pa u dëgjuar Veliaj? Komisioni parlamentar për reformën…

A mund të mbyllet reforma pa u dëgjuar Veliaj? Komisioni parlamentar për reformën…

Pikat kryesore

  • E vetmja bashki e papërfaqësuar në këto dëgjesa ka mbetur ajo e kryeqytetit, Tiranës.
  • Kjo për shkak se prej afro 16 muajsh kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim.
  • Komisioni ka parashikuar një dëgjesë me Veliajn më 30 qershor, por realizimi i saj mbetet në varësi të vendimit të prokurorëve të SPAK-ut për autorizimin ose jo të pjesëmarrjes së tij.

Komisioni parlamentar për reformën territoriale-administrative po i afrohet përmbylljes së mandatit dhe ka përfunduar pothuajse të gjitha konsultimet me kryetarët e bashkive dhe me publikun, si në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, ashtu edhe në një sërë bashkish kryesore të vendit. E vetmja bashki e papërfaqësuar në këto dëgjesa ka mbetur ajo e kryeqytetit, Tiranës. Kjo për shkak se prej afro 16 muajsh kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim. Komisioni ka parashikuar një dëgjesë me Veliajn më 30 qershor, por realizimi i saj mbetet në varësi të vendimit të prokurorëve të SPAK-ut për autorizimin ose jo të pjesëmarrjes së tij. Reforma territoriale-administrative është një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në qeverisjen vendore. Ajo vjen si rishikim i reformës së vitit 2014, e cila u zbatua pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt mënyrën e funksionimit të pushtetit vendor në vitet që vijnë. Pikërisht për këtë arsye, gjithëpërfshirja në proces nuk është një çështje formale, por një element thelbësor i legjitimitetit të saj. Në këtë kuadër, do të ishte e paplotë që kryetari i Bashkisë së Tiranës të mos kishte mundësi të shpaloste qëndrimin e tij për një reformë që prek drejtpërdrejt territorin që ai ka qeverisur që nga viti 2015. Pavarësisht vlerësimeve politike ndaj tij, Erion Veliaj mbetet kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, një status i konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Nëse prokurorët e SPAK-ut do të vendosnin të mos autorizonin pjesëmarrjen e tij në një dëgjesë me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, duke e kufizuar në praktikë praninë e tij vetëm në hapësirën e procesit gjyqësor, kjo do të vinte në diskutim jo vetëm ushtrimin e të drejtave të një të zgjedhuri vendor, por edhe vetë respektimin e mandatit që i është dhënë nga qytetarët e Tiranës.

Lini një Përgjigje