A është kredia kurth financiar? Ekspertja: Prona është gjithmonë investim

A është kredia kurth financiar? Ekspertja: Prona është gjithmonë investim

Pikat kryesore

  • Me çmimet e pasurive të paluajtshme në rritje dhe kursimet që shpesh nuk mjaftojnë, kredia mbetet rruga më e zakonshme drejt pronësisë.
  • Për të folur në lidhje me këtë ishte e ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”, këtë të mërkurë, më 10 qershor, ekspertja e kredisë, Silvana Gërxhani.
  • Ajo pohoi se dinamika e qëllimit të kredisë ka ndryshuar ndër vite dhe sipas saj aktualisht njerëzit kreditohen për shumë qëllime, por arsyeja kryesore mbetet në investimin e një shtëpie.

Shtëpia e ëndrrave apo borxhi i jetës? Kjo është dilema me të cilën përballen sot shumë të rinj. Me çmimet e pasurive të paluajtshme në rritje dhe kursimet që shpesh nuk mjaftojnë, kredia mbetet rruga më e zakonshme drejt pronësisë. Por sa e sigurt është kjo rrugë? Për të folur në lidhje me këtë ishte e ftuar në emisionin “Aldo Morning Show”, këtë të mërkurë, më 10 qershor, ekspertja e kredisë, Silvana Gërxhani. Ajo pohoi se dinamika e qëllimit të kredisë ka ndryshuar ndër vite dhe sipas saj aktualisht njerëzit kreditohen për shumë qëllime, por arsyeja kryesore mbetet në investimin e një shtëpie. “Mendojmë që po arrijmë në atë stadin ku Evropa ka qenë që në vitet ’80. Në Evropë, ‘blej tani dhe paguaj më vonë’ eksziston që në vitet ’80. Ne jemi duke kaluar stadet tona ekonomike dhe normalisht që sistemi bankar është ndikuar dhe i është përshtatur kërkesës konsumatore me të gjitha produktet. Investimi për shtëpinë është kërkesa më e madhe e duke parë që në sistemin bankar interesat kanë rënë dhe i jemi përafruar shumë pjesës tjetëre europiane, kur mund të paguash interesa më të ulta, pse të paguash qera që i humbet?! Kështu që është dhe njëfarë investimi sepse paguan më pak interes.” Ekspertja theksoi se dikur marrja e një kredie ishte një privilegj më shumë sesa një mundësi e zakonshme, pasi kriteret e financimit ishin më të kufizuara dhe jo të gjithë mund të kreditoheshin. “Në periudhën e krizës, në vitet 2008-2014 u has fenomeni i vështirësisë dhe i klientëve që futeshin tek grupi i riskut, por bankat janë shumë të sofistikuara në këtë pjesë sepse ka matje rrisku. Nëse të ardhurat nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet e tua dhe bëhet një analizë shumë e detajuar për këtë, nuk kreditohesh.” Gërxhani bëri të ditur se banka tashmë ofron produkte për çdo kategori klientësh dhe tashmë klienti e ka më të automatizuar të gjithë procesin e kreditimit për konsum. “Sot janë automatizuar aq shumë gjërat sa kredia për konsum nuk lihet më në gjykim njerëzor. Kemi një sistem origjinimi të kredive i cili për 20 minuta të krediton kredinë në llogarinë tënde pa ndërhyrje humane sepse është i automatizuar. Ose nga aplikacioni bankar për 7 minuta e ke kredinë në llogari. Sistemi është sofistifuar aq shumë sa nuk e shohim më problematike kredinë konsumatore.” Në lidhje me vendimin e dy të rinjve për të marrë një kredi të përbashkët për blerjen e një shtëpie, ekspertja theksoi se, përtej aspektit financiar, rëndësi të veçantë ka edhe qëndrueshmëria e marrëdhënies së tyre, në mënyrë që kredia të mos shndërrohet në një faktor që kushtëzon jetën dhe zgjedhjet e tyre në të ardhmen. “Prona është gjithmonë pronë dhe pronës i rritet gjithmonë vlera sepse është investim. Nëse nuk arrin të përballosh një këst shumë të lartë kredie, ekziston mundësia që pronën që mund ta kesh në një zonë të mirë, ta lëshosh me qira, të marrësh të ardhura më të larta dhe vetë të spostohesh në një zonë me një qera më të ulët. Pra ka zgjidhje.” Bankierja theksoi se këshillimi financiar është një domosdoshmëri për qytetarët, ndërsa edukimi financiar duhet të nisë që në bankat e shkollës.

Lini një Përgjigje