Pikat kryesore
- Diçka ka ndryshuar te “MCL39”, i cili prej garës në Monza nuk duket më kaq superior, dhe kjo përkon me dy pista me ngarkesë të ulët aerodinamike, pikërisht pika më e dobët e makinave “papaya”.
- “Nuk është e zakonshme që ata (Red Bull) të jenë të ngadaltë, ndaj mendoj se njerëzit nuk duhet të habiten kur ata janë të shpejtë.
- Maks fitonte gara që në fillim të sezonit, mund ta kishte fituar të parën në Australi, dhe ishte shumë afër fitores edhe në Sprintin e dytë”, kujton Norris për fillimin sezonal të Red Bullit.
Red Bull tremb McLaren, Norris: Janë tjetër nivel Pas deklaratës së Andrea Stelas, drejtori i Mek Larenit, i cili e përfshiu Maks Vershtapenin në mesin e favoritëve për titullin kampion 2025 në F1, edhe Lando Norris shpreh frikën e tij. Diçka ka ndryshuar te “MCL39”, i cili prej garës në Monza nuk duket më kaq superior, dhe kjo përkon me dy pista me ngarkesë të ulët aerodinamike, pikërisht pika më e dobët e makinave “papaya”. Por edhe në Zandvort, një pistë me ngarkesë të lartë, ata nuk arritën të marrin avantazhet që priteshin, ku Maks Vershtapen I rrezikoi seriozisht, duke u klasifikuar i dyti, ndërsa Norris u tërhoq për shkak të një defekti në motorin e njëvendëshes së tij. Çështja është se ritmi i dobët i treguar nga Lando në Baku, ku mbeti për shumë xhiro i bllokuar pas Red Bullit të dytë, të Juki Tsunodas, për ta mbyllur në vendin e shtatë në fund, kanë bërë që të lëkundet besimi se kampioni do të dalë patjetër nga ndonjëri prej dy pilotëve të skuadrës së MekLarenit. “Nuk është e zakonshme që ata (Red Bull) të jenë të ngadaltë, ndaj mendoj se njerëzit nuk duhet të habiten kur ata janë të shpejtë. Maks fitonte gara që në fillim të sezonit, mund ta kishte fituar të parën në Australi, dhe ishte shumë afër fitores edhe në Sprintin e dytë”, kujton Norris për fillimin sezonal të Red Bullit. “Kanë qenë të shpejtë gjatë gjithë sezonit. Red Bulli ka qenë mirë dhe sollën disa përmirësime në Monza që duket se i ndihmuan të përmirësohen edhe më shumë. Prandaj, nuk është befasi, e dimë që janë një skuadër jashtëzakonisht e fortë dhe kanë një nga pilotët më të mirë në historinë e Formulës 1”, shton britaniku, duke përfshirë kështu kandidaturën e Vershtapenit për titullin. Norris parashikon se kjo do të jetë tabloja për shtatë garat e mbetura, edhe pse teorikisht Singapori, një pistë ku Vershtapen nuk ka fituar kurrë, duhet të jetë terren i favorshëm për MekLarenin, madje në masë të madhe. “Besoj se do të na e bëjnë jetën të vështirë deri në fund të sezonit, por gjithashtu e dimë që në Baku kemi pasur disa vështirësi, ndërsa në Monza nuk ishim mjaftueshëm të shpejtë”, thotë Lando.