Një tjetër viktimë e tragjedisë humanitare në Gaza është bërë akademiku, shkrimtari dhe poeti palestinez Omar Harb, i cili ndërroi jetë nga kequshqyerja pas muajsh nën bllokadën izraelite.
Harb, lektor universitar dhe figurë e njohur kulturore, kishte pësuar një rënie dramatike në peshë: nga 120 kilogramë para fillimit të luftës në tetor 2023, deri në më pak se 40 kilogramë në javët e fundit të jetës së tij.
Tre javë para vdekjes, ai kishte dhënë një intervistë për Al Jazeera ku tregonte vuajtjet e përditshme, mungesën e ushqimit dhe barnave, si dhe lutjet e tij të dëshpëruara për ndihmë mjekësore që nuk arriti kurrë.
“Kam parë fotografitë e mia para dhe pas luftës dhe mendova: si është e mundur që të arrijë njeriu në këtë pikë?”, ishte shprehur ai.
Përveç vuajtjes personale, Harb përjetoi edhe një humbje të jashtëzakonshme: gjatë ofensivës humbi 26 anëtarë të familjes, mes tyre bashkëshorten, fëmijët dhe nipërit e mbesat.