Pikat kryesore
- Dy bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
- Pas një ngërçi dymujor, palët politike u rikthyen në tryezën e reformës zgjedhore në mesin e muajit shkurt, me një kompromis dhe shumë mosbesim.
- Damian Gjiknuri, bashkëkryetari socialit i komisionit të reformës zgjedhore, e konsideron ligjin të rëndësishëm për demokratizimin dhe transparencën e partive politike.
Udhëkryqi i reformës zgjedhore: Mes mosbesimit dhe presionit për ndryshime të thella Hartimi i ligjit për Financimin e Partive Politike është sipas aktorëve politikë dhe ekspertëve i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm për të rikthyer besimin te reforma zgjedhore dhe te procesi elektoral në tërësi. Dy bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Foto: LSA. Pas një ngërçi dymujor, palët politike u rikthyen në tryezën e reformës zgjedhore në mesin e muajit shkurt, me një kompromis dhe shumë mosbesim. Damian Gjiknuri, bashkëkryetari socialit i komisionit të reformës zgjedhore, e konsideron ligjin të rëndësishëm për demokratizimin dhe transparencën e partive politike. “Financimi i partive politike merr një rëndësi të madhe, pasi nëpërmjet transparencës, mirëpërdorimit dhe llogaridhënies së burimeve dhe shpenzimeve, krijohet shtrati për një parti më demokratike dhe që funksionon në bazë të rregullave,” tha ai për BIRN. Megjithatë, hartimi i ligjit të ri duket i pamjaftueshëm për të shëruar mosbesimin e partive politike në opozitë ndaj reformës dhe procesit zgjedhor. “Është e vështirë që një ligj për Financimin e Partive Politike të mjaftojë për të krijuar besim te reforma, kur për 13 vite nuk ka pasur reformë konsensuale,” thotë Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i komisionit nga radhët e opozitës. “Po të konsiderojmë sfodin e zhvillimeve politike dhe institucionale, përfshirë edhe rastin “Balluku” dhe zhvillimet dhe rreth tij, vështirësia bëhet më e qartë,” shtoi ai. Në luftën e pandalshme politike në Shqipëri, të ashtuquajturat reforma zgjedhore përfaqësojnë momente të shkurtra armëpushimi. Megjithatë, produktet e miratuara gjatë dekadës së fundit janë konsideruar më tepër si arnime ligjore, të cilat nuk kanë arritur të garantojnë standarde zgjedhore. Përveç ligjit për Financimin e Partive Politike, kalendari i komisionit parashikon të përmbyllë deri në fund të korrikut rishikimin e Kodit Zgjedhor për të adresuar rekomandimet që lidhen me monitorimin e fushatave, procesin e administrimit si dhe shfrytëzimin e burimeve shtetërore në zgjedhje. Por ekspertët e zgjedhjeve në Shqipëri kërkojnë ndërhyrje më të thella për të parandaluar cënimin e integritetit të zgjedhjeve.