Pikat kryesore
- Problemet me veshin e brendshëm, të cilat shpesh shfaqen me marramendje si një nga shenjat e para, janë mjaft të përhapura në popullatë.
- Megjithatë, sipas mjekëve specialistë, jo çdo problem me ekuilibrin ka si shkak kryesor veshin e brendshëm.
- “QSUT për disa dekada i ka munguar ky vlerësim, pra vlerësimi i pacientëve bëhej thjeshtë me anën klinike dhe me vlerësimet imazherike.
Problemet me ekuilibrin dhe marramendja janë ndër shqetësimet më të shpeshta në popullatë, por jo gjithmonë lidhen drejtpërdrejt me veshin e brendshëm. Sipas mjekëve specialistë, kjo është një nga keqkuptimet më të zakonshme te pacientët që paraqiten me këto simptoma.
Shefja e shërbimit ORL në QSUT, Brikena Qirjazi, shpjegon se veshi i brendshëm është vetëm një nga mekanizmat që kontrollojnë ekuilibrin.
“Jo çdo person që ka marrje mendsh ka problem me veshin e brendshëm. Shpesh këto simptoma mund të lidhen me problemet e syve, çrregullime neurologjike apo edhe probleme të trurit,” thekson ajo.
Deri më tani, vlerësimi i këtyre pacientëve bëhej kryesisht në mënyrë klinike dhe përmes ekzaminimeve imazherike. Por tashmë, në QSUT ka nisur funksionimi i një kabineti të specializuar vestibular, i cili mundëson diagnozë shumë më të detajuar dhe të saktë.
Në këtë kabinet kryhen 5-6 teste të ndryshme për të përcaktuar nëse problemi vjen nga veshi i brendshëm dhe konkretisht nga cila pjesë e tij. Kjo ndihmon në orientimin e saktë të trajtimit dhe rehabilitimit të pacientit.
Ndër testet kryesore përfshihen:
Prova kalorike (stimulim i veshit me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë)
Karrigia rrotulluese
Testi VHIT (që kontrollon kanalet e veshit të brendshëm)
Ekzaminime të lëvizjeve të syrit
Ky është një ekzaminim i gjatë, që mund të zgjasë deri në një orë dhe në disa raste mund të shkaktojë të përziera apo të vjella te pacientët.
Pas vendosjes së diagnozës, trajtimi ndryshon në varësi të shkakut. Në disa raste rekomandohet edhe rehabilitimi vestibular – një program ushtrimesh i personalizuar që kryhet nga fizioterapistët, i cili ndihmon në rikthimin e ekuilibrit.
Sipas të dhënave nga QSUT, rreth një e treta e urgjencave në ORL lidhen pikërisht me pacientë që ankohen për marrje mendsh, çka tregon përhapjen e lartë të këtij problemi dhe rëndësinë e diagnostikimit të saktë.