Media italiane raportojnë për një incident të tensionuar që përfshin kapitenin e Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, dhe zëvendëstrajnerin e Inter, Aleksandar Kolarov.
Ngjarja thuhet se ka ndodhur pas barazimit të javës së kaluar mes Atalanta dhe Interit, skuadër e drejtuar aktualisht nga Kristian Kivu. Pas përfundimit të ndeshjes, një përplasje mes disa futbollistëve ka përshkallëzuar në tensione, duke përfshirë edhe stafin teknik, ku madje u raportua edhe për pezullimin e trajnerit të Interit.
Sipas pamjeve të publikuara, Berat Gjimshiti shihet duke iu drejtuar Aleksandar Kolarov me fjalët: “Eja ta zgjidhim në tunel. Eja ta provosh aty…”, çka tregon për një moment të nxehtë në kulmin e debatit. Raportohet se provokimi fillestar mund të ketë ardhur nga Kolarov, ndërsa Gjimshiti njihet përgjithësisht për qetësinë dhe profesionalizmin e tij në fushë dhe jashtë saj.
Ky episod ka rikthyer në vëmendje edhe precedentë të ngjashëm në futbollin italian. Një nga rastet më të përfolura mbetet përplasja mes Igli Tare dhe të ndjerit Siniša Mihajlović, e cila bëri bujë të madhe në kohën e saj për shkak të ashpërsisë së incidentit.
Megjithatë, deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga klubet apo palët e përfshira, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ky incident do të sjellë masa disiplinore nga autoritetet përkatëse.