SPAK “arrin” te Kadastra, Lorena Goxhobelli dhe Martin Kala në qendër të dyshimeve për…

SPAK “arrin” te Kadastra, Lorena Goxhobelli dhe Martin Kala në qendër të dyshimeve për…

Pikat kryesore

  • Kadastra shqiptare duket se po hyn në një nga fazat më të errëta të hetimit nga drejtësia.
  • Brenda këtij sistemi, ASHK Rurale 1 Tiranë ka një peshë të veçantë.
  • Kjo drejtori mbulon disa nga zonat më të kërkuara për ndërtim dhe zhvillim, përfshirë territore pranë TEG-ut, Farkës, Lundrës dhe zonave të tjera ku çmimi i tokës është shumëfishuar.

Kadastra shqiptare duket se po hyn në një nga fazat më të errëta të hetimit nga drejtësia. Sipas burimeve, SPAK ka zgjeruar verifikimet mbi hallkat drejtuese të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në disa qytete kryesore, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin dhe Vlorën, ndërsa në qendër të dyshimeve janë skema të mbivendosjes së pronave, legalizimeve të paligjshme dhe përdorimit të institucionit në funksion të grupeve kriminale dhe interesave të mëdha të ndërtimit. Në këtë panoramë të rëndë, një nga emrat që del në fokus është drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli dhe Martin Kala, drejtori i ASHK Drejtoria Vendore Rurale 1 Tiranë, një nga degët më të rëndësishme të Kadastrës për shkak të territorit që mbulon, konkretisht për zonat rurale dhe periferike të Tiranës, ku vitet e fundit vilat luksoze dhe projektet e mëdha të ndërtimit kanë rritur në mënyrë marramendëse vlerën e çdo parcele. Martin Kala, ish-funksionar i LSI-së, u vendos në krye të kësaj drejtorie pa një profil të njohur publik në fushën e pronave apo një karrierë të spikatur profesionale që të justifikonte drejtimin e një institucioni ku një firmë mund të vlejë miliona euro. Raportimet e fundit për hetimet e SPAK ndaj Kadastrës flasin për një problem strukturor, jo për raste të izoluara, gjë që ngarkon në mënyrë direkte me përgjegjësi edhe drejtoreshën e përgjithshme të ASHK-së, Lorena Goxhobelli. Në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, dyshohet se zyrtarë të niveleve drejtuese dhe specialistë të ASHK-së kanë bashkëpunuar me sekserë, noterë dhe përfaqësues të grupeve të interesit për të mundësuar legalizime në kundërshtim me ligjin, mbivendosje pronash dhe kalime pronësie me dokumente të dyshimta. Brenda këtij sistemi, ASHK Rurale 1 Tiranë ka një peshë të veçantë. Kjo drejtori mbulon disa nga zonat më të kërkuara për ndërtim dhe zhvillim, përfshirë territore pranë TEG-ut, Farkës, Lundrës dhe zonave të tjera ku çmimi i tokës është shumëfishuar. Aty ku qarkullon toka, qarkullon edhe paraja. Dhe aty ku qarkullon paraja, Kadastra bëhet porta kryesore e legalizimit të pasurisë. Burime dhe të dhëna të siguruara nga redaksia ngrenë dyshime se nën drejtimin e Martin Kalës, Hipoteka Rurale 1 nuk ka funksionuar vetëm si institucion administrativ, por si një mekanizëm ku dosjet lëviznin sipas interesit. Qytetarët e thjeshtë përballeshin me radhë, kthime përgjigjesh, vonesa dhe dokumente që humbnin nëpër zyra, ndërsa persona të lidhur me biznesin, ndërtimin dhe politikën dyshohet se merrnin zgjidhje të shpejta. Në duart e drejtuesve të tillë, Kadastra nuk është më arkivë pronash, por një “noteri” paralele. Aty ku kufijtë e pronave ndryshojnë, legalizimet bëhen me firmë të shpejtë dhe dokumentacioni i dyshimtë merr vlerë ligjore, prona publike dhe private rrezikon të tjetërsohet pa zhurmë, por me pasoja të mëdha për qytetarët. Në qendër të dyshimeve për Tiranën rurale qëndron pikërisht roli i Martin Kalës. Ai ishte njeriu që mbante firmën, kontrollonte vendimmarrjen dhe kishte akses mbi dosjet më të ndjeshme të pronës. Për këtë arsye, çdo vendim i firmosur prej tij për prona në zonat me vlerë të lartë tregu duhet të kalojë në sitën e SPAK. Dyshimet bëhen edhe më serioze kur në disa raste prona në zona si Farka dhe rrethinat e saj rezultojnë të lidhura me njerëz të afërt të drejtorit Martin Kala. Kjo ngre pikëpyetje të forta për konflikt interesi dhe për përdorimin e funksionit publik në favor të rrethit familjar apo personave të besuar. Nëse qytetarët presin me dekada për njohjen e pronës, si ka mundësi që njerëz pranë drejtuesve të Kadastrës shfaqen në zona ku toka është kthyer në pasuri miliona euro? Një tjetër hallkë që kërkon hetim lidhet me vëllain e tij, Admirim Kala, ish-kandidat për deputet i LSI-së dhe pronar i kompanisë LACONICS shpk . Në objektin e veprimtarisë së kësaj kompanie përfshihet asistimi dhe ndërmjetësimi në shitje-blerje pasurish të paluajtshme, si dhe asistenca në procesin e regjistrimit të pronave. Pra, kompania e vëllait operon pikërisht në fushën ku Martin Kala kishte pushtetin institucional. Kjo lidhje është shumë më tepër se një rastësi administrative. Njëri vëlla drejtonte një nga zyrat më të rëndësishme të Kadastrës në Tiranë, ndërsa tjetri kishte një kompani që ofronte asistencë për regjistrim pronash dhe ndërmjetësim në pasuri të paluajtshme. Kjo është një urë e drejtpërdrejtë interesi që kërkon verifikim të thelluar nga organet ligjzbatuese. LACONICS shpk , përveç fondeve të përfituara nga skemat e startup-eve, rezulton të ketë marrë edhe 12 kontrata publike vendore me vlerë totale 34.125.700 lekë. Këto kontrata shtojnë nevojën për të verifikuar jo vetëm burimin e të ardhurave, por edhe lidhjet institucionale, marrëdhëniet me pushtetin vendor dhe mundësinë e përfitimit indirekt nga pozicioni publik i familjarit në Kadastër.

Lini një Përgjigje