Skandal në MCN TV – Delinda Disha: Prej prillit s’më kanë dhënë rrogën, u detyrova të largohem

Moderatorja dhe gazetarja e njohur Delinda Disha ka bërë një reagim të fortë në rrjete sociale, ku ka denoncuar publikisht situatën brenda MCN TV dhe mënyrën se si, sipas saj, trajtohen punonjësit e këtij televizioni.

Në një postim në Instagram, ajo ka akuzuar drejtuesen Marsida Karabollaj se mban peng prej muajsh rrogat e punonjësve dhe i shkarkon ata sipas dëshirës. “Ky është personi që nuk i jep me muaj të tëra rrogat dhe i shkarkon punonjësit e MCN-së kur dhe si i do qefi. Në 2025 është e turpshme të mbash peng punonjësit me muaj të tërë pa i paguar”, shkruan Disha në postimin e saj, duke bashkëngjitur edhe një foto.

Më tej, ajo ka njoftuar ndjekësit se nuk do të jetë më pjesë e MCN TV dhe emisionit investigativ “Xhadat”, ku ka shërbyer si moderatore. Si arsye për largimin, Disha deklaron:

“Pse kërkoja rrogën time ndërkohë tashmë ish-kolegë të mi kanë pa marrë rrogën që në muajin prill.”

Ky reagim publik ka shkaktuar jehonë, duke hedhur dritë mbi problemet e brendshme financiare dhe menaxheriale të MCN TV. Deri tani televizioni nuk ka bërë një reagim zyrtar mbi akuzat e ish-moderatores.

Lini një Përgjigje