Pikat kryesore
- Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në moderimin e Arbër Hitajt, sqaroi qëndrimin e PD-së lidhur me kandidaturat për Avokat të Popullit dhe situatën brenda opozitës.
- Baçi theksoi se Endri Shabani nuk është kandidati i PD-së për Avokat të Popullit, duke shpjeguar se firmat e deputetëve ishin vetëm procedurale.
- “Opozita, duke qenë në një situatë të tillë, sidomos pas zgjedhjeve të bashkisë së Tiranës ku u propozua një kandidat nga shoqëria civile, vendosi të mbështeste të gjitha propozimet e ardhura nga grupimet opozitare.
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në emisionin “Tema e Ditës” në moderimin e Arbër Hitajt, sqaroi qëndrimin e PD-së lidhur me kandidaturat për Avokat të Popullit dhe situatën brenda opozitës. Baçi theksoi se Endri Shabani nuk është kandidati i PD-së për Avokat të Popullit, duke shpjeguar se firmat e deputetëve ishin vetëm procedurale. “Opozita, duke qenë në një situatë të tillë, sidomos pas zgjedhjeve të bashkisë së Tiranës ku u propozua një kandidat nga shoqëria civile, vendosi të mbështeste të gjitha propozimet e ardhura nga grupimet opozitare. Firmat u dhanë vetëm për t’i paraqitur kandidaturat te komisioni, si një hap formal. U firmosën rreth 20 kandidatë për avokat që kërkuan mbështetje dhe ne i kemi firmosur, ” u shpreh Baçi. Ai shtoi se këto firma nuk përbëjnë mbështetje politike, por një procedurë për të garantuar përfaqësim të opozitës në fazën e parë të filtrimit. “Firmat janë tërhequr dhe kjo është ligjore. Të gjitha kandidaturat që do të shkojnë në Kuvend janë të pafirmosura. Grupi parlamentar i PD-së, nëse i lihet opozitës e drejta për kandidaturën, do të mblidhet dhe do të zgjedhë vetëm një emër për ta çuar në Kuvend, ” deklaroi ai. Baçi: Takimi i Salianjit ishte gabim organizativ, jo lëvizje politike Deputeti u ndal edhe te takimi i fundit i Ervin Salianjit, duke e konsideruar një gabim procedural, por jo një lëvizje brenda partisë. “ Jam plotësisht dakord që çdo deputet dhe çdo anëtar kryesie duhet të dalë në bazë, të bëjë takime dhe të diskutojë me strukturat. Por Partia Demokratike është një parti e organizuar, me statut dhe udhëzime të qarta. E vetmja problematikë që pashë te zoti Salianji është se duhej ta njoftonte kryesinë dhe strukturat qendrore për takimin, që të koordinohej me degën përkatëse. Nuk është lëvizje, absolutisht,” theksoi Baçi.