Pikat kryesore
- Rreth 26.3 mijë apartamente e njësi të tjera banimi ishin të disponueshme për t’u dhënë me qira gjatë vitit 2025.
- Këto njësi gjeneruan një rekord të ardhurash prej 134 milionë eurosh, me rritje prej 23.4% nga viti i mëparshëm.
- Në të kundërt, çmimet e qirave afatgjata po rriten me ritme të larta, duke “shtrembëruar” tregun.
Rreth 26.3 mijë apartamente e njësi të tjera banimi ishin të disponueshme për t’u dhënë me qira gjatë vitit 2025. Këto njësi gjeneruan një rekord të ardhurash prej 134 milionë eurosh, me rritje prej 23.4% nga viti i mëparshëm. Por, shtimi i konkurrencës ka ulur fitimin për apartament. Në të kundërt, çmimet e qirave afatgjata po rriten me ritme të larta, duke “shtrembëruar” tregun. Cilat janë qytetet ku biznesi i qirasë afatshkurtër është më i zhvilluar? Sa fitohet nga qiradhënia sipas muajve me ditë dhe afatgjatë? A ia vlen të blesh një apartament për ta dhënë me qira? Familjet dhe individët po e shohin shtëpinë jo më si strehë, por si aset që duhet të punojë çdo muaj, qoftë përmes qirave afatshkurtra për turistët, ashtu dhe me kontrata afatgjata për banim. Fitimi i shpejtë nga qiraja po duket gjithnjë e më joshës, duke ndryshuar dy vitet e fundit sjelljen e pronarëve, balancat e tregut të banesave dhe sidomos fitimet që po sjellin ato. Fitimi i shpejtë nga qiraja po duket gjithnjë e më joshës, duke ndryshuar dy vitet e fundit sjelljen e pronarëve, balancat e tregut të banesave dhe sidomos fitimet që po sjellin ato. Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik bëri që shumë persona të jepnin shtëpitë me qira afatshkurtër, duke konkurruar hotelet, por edhe duke joshur shumë të huaj për shkak të çmimeve të lira ditore në krahasim me vendet e tjera të Europës. Të dhënat e AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, të bëra të disponueshme për “Monitor”, bëjnë të ditur se në gjithë vendin, mesatarisht në vitin 2025, jepeshin me qira 26.3 mijë apartamente përmes platformës së qiradhënies, Airbnb, nga 21 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 25.3%. Kjo shifër përfaqëson gati 3% të totalit të njësive për banim në vend (rreth 1.08 milionë) sipas INSTAT, apo 6.1% të apartamenteve në pallate (432 mijë). Numri i atyre që kanë zgjedhur të lënë shtëpinë në dispozicion të të huajve me ditë është rritur ndjeshëm. Në janar të vitit 2021, kur është dhe e dhëna më e hershme e disponueshme nga AirDNA, jepeshin me qira përmes Airbnb rreth 6.2 mijë apartamente apo njësi të tjera banimi, ose 4 herë më pak sesa sot. Shtimi i këtyre njësive ditore ka rritur të ardhurat që gjenerohen nga net-qëndrimet e shtetasve të tretë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të huaj. Sipas të dhënave nga AirDNA, në vitin 2025 nga qiradhënia në Shqipëri u gjeneruan gjithsej 134 milionë euro, një nivel rekord i regjistruar ndonjëherë në vend. Në krahasim me vitin e mëparshëm, të ardhurat janë rritur me 23.4%. Zhvillimi është i dukshëm në dy vitet e fundit dhe përkon me rritjen e hyrjes së shtetasve të huaj në vend, që arriti në 11.7 milionë në 2024 dhe i ka kaluar 12 milionë në vitin 2025. Me çmimet ditore të qirave që janë më të lira sesa të hoteleve dhe numrit më të lartë të personave që mund të qëndrojnë në një apartament, kërkesa për këto njësi akomoduese mbetet e lartë. Për krahasim me vitin 2021, ky treg qarkulloi vetëm 14.6 milionë euro. Sipas muajve, periudha nga qershori në shtator është ajo që gjeneron më shumë të ardhura, e lidhur me tendencën sezonale, ku shumë shtetas të huaj i drejtohen bregdetit. Kulmin e shënon gjithnjë gushti, ku në vitin 2025 u arkëtuan 37.2 milionë euro, ose 24.4% e totalit. Në korrik dhe gusht 2024 jepeshin me qira ditore rreth 30 mijë njësi banimi në të gjithë vendin, me Airbnb. Kjo është dhe periudha me kërkesën më të lartë. 65-67% e këtyre njësive ishin të prenotuara të paktën një ditë gjatë këtij muaji, sipas AirDNA. “Qiradhënia e shtëpive është një treg në rritje”, thotë Stela Dhami nga “Colliers International”. Ajo shton se përderisa ky treg nuk ka ndërhyrje, kjo tendencë do të vazhdojë. “Është krijuar një nëntreg i ‘hotelerisë’ për turistët familjarë dhe rininë me buxhet të ulët, duke qenë se tipologjia e turistëve që tërheqim është low cost”. Net-qëndrimet arrijnë rekord në vitin 2025 Lulëzimi i turizmit ka sjellë një rritje të fortë të net-qëndrimeve në strukturat që janë dhënë me qira nëpërmjet platformës Airbnb. Në total, për 2025-n, u regjistruan 2.36 milionë net-qëndrime përmes kësaj platforme, me një rritje prej 22.8% me bazë vjetore. Numri më i lartë i net-qëndrimeve shënohet në gusht, me 444 mijë, me rritje prej 28% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Oferta në rritje uli çmimin ditor të qirave, duke filluar nga gushti Të dhënat e AirDNA tregojnë se çmimi mesatar ditor në Shqipëri për një njësi banuese me qira luhatet nga 40.7 euro në mars në 73.4 euro në gusht. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vendet e tjera, çmimet nuk kanë shënuar ndonjë rritje të lartë vitet e fundit, për shkak të konkurrencës së lartë, që ka ardhur nga shtimi i apartamenteve të listuara. Mesatarja prej 74 eurosh në gusht vjen si rrjedhojë e çmimeve të larta në njësitë bregdetare, kryesisht në Vlorë e Sarandë, që arrin në 86 euro në gusht, në Durrës, 80 euro/natë, ndërsa në Tiranë, qiraja mesatare ditore nuk e kalon maksimumin e 45 eurove edhe në kulmin e sezonit. Sipas të dhënave nga AirDNA, çmimi mesatar i qirasë ishte 56.71 euro në vitin 2025, me rritje prej 0.5% në krahasim me 2024-n. Por, shtimi i konkurrencës në ofertat e shtëpive ka sjellë një tendencë rënëse të çmimeve, sidomos nga gushti deri në fund të vitit. Në gusht, qiraja mesatare ishte 73.4 euro, nga 74.7 euro një vit më parë. Të ardhurat reale mujore janë në rënie me mbi 4%, kursi është një tjetër goditje Kthimi efektiv nga qiraja ditore, në shumicën e rasteve, rezulton modest për shkak të konkurrencës së fortë në treg dhe tarifave të ulëta ditore. Megjithatë, në Shqipëri, vendimet për këtë lloj investimi shpesh nuk bazohen në analiza afatgjata të përfitimit. Pronarë banesash dhe individë të tjerë iu bashkuan trendit, duke rritur ndjeshëm numrin e apartamenteve të ofruara për qira afatshkurtër, të nxitur nga bindja se kjo formë qiradhënieje garanton fitime të lehta dhe të shpejta. Sipas statistikave të AirDNA, norma e zënies varion nga 44% në tetor deri në 66% në gusht. Mesatarisht norma e zënies ditore ishte 54% në vitin 2025, nga 55% një vit më parë.