Pikat kryesore
- Ndërsa në rast se rivlerësimi do të bëhet me një ekspert të licencuar, sipas Ministrisë së Financave do të bëhet sipas çmimeve të vlerës së tregut.
- Ndërsa për bashkinë Tiranë nuk përdoren çmimet e referencës të 2016, pasi vlerat u rishikuan në fund të muajit korrik 2023.
- Në fillim të muajit gusht të vitit 2023 për Tiranën nisën të zbatoheshin çmimet e reja të referencës.
Nëse një qytetar planifikon apo kërkon të shesë apartamentin në rrethe dhe kërkon të përfitojë nga tatimi i reduktuar në 5%, nëse e bën rivlerësimin nëpërmjet Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, jo përmes një eksperti privat të licencuar, sipas sqarimit të Ministrisë së Financave, llogaritja e vlerës së pronës do t’i bëhet me çmimet e referencës të miratuara në 2016. Ndërsa në rast se rivlerësimi do të bëhet me një ekspert të licencuar, sipas Ministrisë së Financave do të bëhet sipas çmimeve të vlerës së tregut. Për rrjedhojë, për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, për 60 bashkitë procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nëpërmjet çmimeve të referencës konsiderohet i paleverdishëm, pasi përdoren çmimet e referencës të miratuara që në vitin 2016, që janë larg vlerave reale të tregut. Ndërsa për bashkinë Tiranë nuk përdoren çmimet e referencës të 2016, pasi vlerat u rishikuan në fund të muajit korrik 2023. Në fillim të muajit gusht të vitit 2023 për Tiranën nisën të zbatoheshin çmimet e reja të referencës. Në Tiranë ndryshe nga rrethet çmimet e referencës janë të ndara në 32 zona kadastrale. Edhe për rivlerësimin se nëse procesi kryhet përmes ASHK përdoren çmimet e referencës të vitit 2023, të përafruara me vlerat e tregut. Ndërsa çmimet e referencës për 60 rrethet të miratuara në 2016 ende ka vetëm një çmim, pa nënndarje zonash dhe pa reflektime të vlerave aktuale të shitblerjes së pronave. Nga Ministria e Financave, ndërkohë është propozuar një hartë e re çmimesh për rrethet me rritje deri 200% (rritja më e lartë në zonën pranë portit të Durrësit), por që nuk ka gjetur miratim ende nga Këshilli i Ministrave. Pra nëse një qytetar që ka një pronë në këtë zonë ku vlerësohet se ka rritje të vlerës deri 200% në raport me vitin 2016, nëse e shet dhe kërkon të përfitojë nga tatimi 5% nëpërmjet rivlerësimit, çmimi i llogaritur nga referencat do të jetë 75 mijë lekë për metër katror. Përveç shitblerjes, mbi çmimet e referencës, bashkitë llogarisin detyrimin për taksën e ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë. Rritja e tyre ngarkon me kosto shtesë si qytetarët ashtu edhe ndërtuesit e projekteve të reja. Por burime zyrtare nga Ministria e Financave sqaruan se çmimet e reja të referencës në rrethe ende nuk janë miratuar, pasi po plotësohen sërish me të dhëna të reja.