Rama kërkoi reflektim, BKH reagon pas ‘përplasjes’ me Kryeministrin: Vijojmë ushtrimin e…

Rama kërkoi reflektim, BKH reagon pas ‘përplasjes’ me Kryeministrin: Vijojmë ushtrimin e…

Pikat kryesore

  • Në përgjigjen e dërguar për Albania, BKH sqaron se qëndrimi i saj është i bazuar ekskluzivisht në kuadrin ligjor dhe në ushtrimin e detyrave procedurale në përputhje me ligjin.
  • “Referenca ligjore ka pasur për qëllim sqarimin e kuadrit ligjor dhe faktin e kryerjes së veprimeve procedurale vetëm në zbatim të ligjit”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
  • BKH thekson gjithashtu se veprimtaria e saj nuk udhëhiqet vetëm nga ligji, por edhe nga standarde të brendshme etike dhe profesionale, të cilat janë të detyrueshme për çdo punonjës të institucionit.

Byroja Kombëtare e Hetimit BKH, ka reaguar zyrtarisht ndaj kërkesës për sqarim të Albania për emisionin “Now” me moderatore Erla Mëhilli, pas deklaratës publike të Kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi “reflektim” nga ky institucion pas një njoftimi të mëparshëm të tij. Në përgjigjen e dërguar për Albania, BKH sqaron se qëndrimi i saj është i bazuar ekskluzivisht në kuadrin ligjor dhe në ushtrimin e detyrave procedurale në përputhje me ligjin. Sipas BKH-së, referenca e bërë më herët ndaj ligjit nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, konkretisht neni 31, pika 3, kishte për qëllim vetëm sqarimin e bazës ligjore mbi të cilën veprojnë oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë edhe ata të BKH-së. “Referenca ligjore ka pasur për qëllim sqarimin e kuadrit ligjor dhe faktin e kryerjes së veprimeve procedurale vetëm në zbatim të ligjit”, thuhet në përgjigjen zyrtare. BKH thekson gjithashtu se veprimtaria e saj nuk udhëhiqet vetëm nga ligji, por edhe nga standarde të brendshme etike dhe profesionale, të cilat janë të detyrueshme për çdo punonjës të institucionit. Në lidhje me deklaratën e Kryeministrit dhe kërkesën për “reflektim”, BKH nuk sinjalizon ndonjë ndryshim qëndrimi apo veprimi institucional, por nënvizon se do të vijojë ushtrimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor në mënyrë të pavarur dhe profesionale, si pjesë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK. “Byroja Kombëtare e Hetimit do të vijojë të ushtrojë detyrën e saj në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, theksohet më tej në përgjigje. Në përgjigjen drejtuar Albania nuk jepen detaje mbi informimin e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me këtë situatë apo mbi reagimet publike që e kanë shoqëruar atë, duke lënë të kuptohet se BKH e konsideron çështjen brenda kuadrit normal të funksionimit institucional.

Lini një Përgjigje