Pikat kryesore
- Sipas tij, komunikimi me Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) po vazhdon pa ndërprerje, ndërsa publiku do të njoftohet në kohën e duhur për çdo zhvillim apo të dhënë shtesë lidhur me këtë rast.
- “Rajaner” sqaroi se ulja në Selanik u krye pa asnjë problem dhe se pasagjerët u kthyen më pas në terminal.
- Në komunikatën e djeshme të kompanisë, të publikuar nga mediat greke, thuhej: “Një udhëtar kërkoi dhe mori ndihmë mjekësore pas uljes në Selanik.
Shkaqet e incidentit me avionin e “Rajaner” që po fluturonte nga Selaniku drejt Memingenit dhe që ndodhi dje në mëngjes mbi Maqedoni, ende janë objekt hetimi, bëri të ditur Marjan Prposki, kryetar i Komitetit për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Incidenteve të Rënda. Sipas tij, komunikimi me Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) po vazhdon pa ndërprerje, ndërsa publiku do të njoftohet në kohën e duhur për çdo zhvillim apo të dhënë shtesë lidhur me këtë rast. Avioni i “Rajaner”, i nisur nga Selaniku për në Memingen, u rikthye në Selanik menjëherë pas ngritjes dje, pasi gjatë fluturimit pranë një pasagjeri u shkëput një dritare, njoftoi kompania për incidentin, ku një prej udhëtarëve pësoi lëndime të lehta. “Rajaner” sqaroi se ulja në Selanik u krye pa asnjë problem dhe se pasagjerët u kthyen më pas në terminal. Në komunikatën e djeshme të kompanisë, të publikuar nga mediat greke, thuhej: “Një udhëtar kërkoi dhe mori ndihmë mjekësore pas uljes në Selanik. Për të minimizuar vonesën, u sigurua një aeroplan zëvendësues për të transportuar udhëtarët në Memingen, i cili u nis nga Selaniku këtë mëngjes në orën 9:35 sipas kohës lokale”. Mediat e Selanikut, duke iu referuar rrëfimeve të udhëtarëve, raportuan dje se menjëherë pas ngritjes, ndoshta kur avioni po kalonte mbi Shkup, u dëgjua një zhurmë e fuqishme dhe më pas u thye një dritare. Sipas këtyre dëshmive, pasagjeri që ndodhej në ulësen pranë saj, për shkak të dekompresionit të menjëhershëm, rrezikoi të përfundonte jashtë avionit, por u mbajt dhe u shpëtua nga bashkëudhëtarët. Po sipas dëshmive, në mesin e pasagjerëve pati panik, ndërsa piloti ruajti qetësinë, i qetësoi udhëtarët dhe e ktheu avionin në aeroportin e Selanikut. Disa media raportuan se dritarja mund të ishte dëmtuar nga një problem me motorin, pasi një pjesë e shkëputur e kishte goditur atë, por kjo nuk u përmend fare në komunikatën e kompanisë ajrore. Mediat në Selanik raportuan gjithashtu se i lënduari ishte një turist rreth të 60-ave dhe se me gjasë bëhet fjalë për një shtetas serb.