Pikat kryesore
- Për të majtën amerikane, shqiptarët po i rezistojnë korrupsionit të familjes Trump dhe atyre që ata i quajnë miliarderë grabitqarë.
- Por, shqiptarët që marrin pjesë në protesta nuk bien dakord me asnjë nga këto shpjegime.
- Ata ishin mbledhur për të protestuar kundër shfaqjes së papritur të një gardhi metalik me tela me gjemba në plazh, i cili ndodhet në një zonë të “peizazh i mbrojtur”, kategori që lejon ndërtime, pranë fshatit Zvërnec.
Për më shumë se tre javë, protestuesit janë mbledhur paqësisht në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, nën përshëndetjet e amerikanëve që i shohin si luftëtarë të guximshëm kundër Presidentit Trump, Izraelit dhe lakmisë së “1 për qindëshit” më të pasur, shkruan New York Times. Protestat u nxitën nga zemërimi publik pas sjelljes së dhunshme të rojeve private të sigurisë në vendin ku planifikohet një zhvillim bregdetar, i financuar nga dhëndri i Trump, Jared Kushner, dhe investitorë nga Gjiri Persik, me një kosto të vlerësuar prej më shumë se 4 miliardë dollarësh. Për të majtën amerikane, shqiptarët po i rezistojnë korrupsionit të familjes Trump dhe atyre që ata i quajnë miliarderë grabitqarë. Teoricienët e konspiracionit të së djathtës kanë përqafuar një teori tjetër: ata e shohin kundërshtimin ndaj Izraelit dhe planeve të supozuara për atë që e quajnë “një ishull të ri Epstein” në brigjet jugore të një prej vendeve më të varfra të Europës. Por, shqiptarët që marrin pjesë në protesta nuk bien dakord me asnjë nga këto shpjegime. “Ne po protestojmë kundër gjithçkaje tjetër” , shtoi ai, duke u ankuar se Shqipëria është qeverisur që nga rënia e komunizmit, 35 vjet më parë, nga të njëjtët politikanë që kujdesen për interesat e tyre, hyjnë e dalin nga pushteti, u japin kontrata shtetërore miqve të tyre në biznes dhe u kushtojnë pak vëmendje problemeve ekonomike dhe shqetësimeve të njerëzve të zakonshëm. Protestat nisën pasi në internet qarkulloi një video që tregonte roje private sigurie, më 30 maj, duke tërhequr me forcë një burrë që iu bashkua disa dhjetëra banorëve dhe aktivistëve mjedisorë në një plazh në jug të Shqipërisë, të cilin Kushner dëshiron ta përfshijë në projektin e propozuar për hotel dhe resort luksoz. Ata ishin mbledhur për të protestuar kundër shfaqjes së papritur të një gardhi metalik me tela me gjemba në plazh, i cili ndodhet në një zonë të “peizazh i mbrojtur”, kategori që lejon ndërtime, pranë fshatit Zvërnec. Zona dhe ishulli kryesisht i pabanuar i Sazanit, aty pranë, janë të dy pjesë e planit të propozuar për zhvillim. Sazan Real Estate Development LLC, kompania e lidhur me Kushner që mbikqyr projektin, tha se rojet që kishin dhunuar protestuesin ishin të punësuar nga një kompani e tretë sigurie. “Incidenti është shqetësues dhe nuk pasqyron standardet që ne presim nga asnjë palë që punon në lidhje me projektin”, deklaroi kompania. Qeveria u përpoq ta shuante zemërimin publik duke hequr licencat e dy kompanive private të sigurisë të përfshira në incidentin në plazh, duke shkarkuar shefin lokal të policisë dhe duke urdhëruar heqjen e gardhit. Megjithatë, protestat vazhduan, duke e kthyer bulevardin qendror të Tiranës në një festë të përnatshme ku marrin pjesë të rinj dhe të moshuar, duke i dhënë jetë asaj që është quajtur “revolucioni i flamingove”, një referencë për shpendët, që janë një pasuri në zonën e mbrojtur. Çdo natë shpaloset një pankartë e madhe në anglisht ku shkruhet: “Albania is not for sale” (“Shqipëria nuk është për shitje”). Rama tha në një intervistë se në janar ishte takuar në Tiranë me Ivanka Trump, e cila është e martuar me Kushner, si dhe me një ekip arkitektësh të përfshirë në projektin e propozuar. Por ai këmbënguli se nuk është nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk është lëshuar asnjë leje ndërtimi. Ishulli që ndodhet në qendër të projektit, tha ai, i përket shtetit dhe nuk është shitur, as nuk do të shitet. Pretendimet në internet se ndërtimi ka nisur tashmë, tha Rama, janë pjesë e një “uragani histerie dixhitale”, megjithëse ai pranoi se ka pasur disa “përgatitje të terrenit”, përfshirë shtrimin e një rruge me zhavorr përmes pyllit. Ndërsa disa protestues, të etur për të tërhequr vëmendjen e televizioneve të huaja, kanë mbajtur pankarta në anglisht kundër Kushner dhe Ivanka Trump, objektivat kryesorë të zemërimit të tyre janë Rama, 61 vjeç, i cili ka qenë pjesë e qeverisë që nga viti 1998, dhe ish-kryeministri Sali Berisha, 81 vjeç, drejtues i partisë kryesore opozitare. Protestuesit kanë brohoritur: “Rama në burg, Berisha në burg”. Rama, i cili siguroi mandatin e katërt si kryeministër vitin e kaluar kur Partia Socialiste fitoi bindshëm zgjedhjet, tha se shqiptarët po përdoren si “mish për top” në “një luftë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë kundër Trump”. Një vërshim online me pretendime të ekzagjeruara për numrin e protestuesve, dezinformim për qëllimet e tyre dhe raportime të rreme për përplasje të dhunshme, tha ai, tregon se “ demokracitë po kryejnë vetëvrasje” duke “ lejuar që ky helm dhe ky infeksion të gërryejë plotësisht trupin e tyre”. “Demokracia pa të vërtetën nuk është më demokraci” , shtoi ai. Megjithatë, edhe vetë qeveria ka kontribuar në përplasjen online, me pretendime se Irani ka nxitur protestat si hakmarrje ndaj Shqipërisë për strehimin e grupit opozitar iranian Mujahedeen Khalq. Zyrtarë të tjerë kanë pretenduar se industria turistike në Greqinë fqinje, e shqetësuar për konkurrencën nga Shqipëria, ka nxitur madje edhe financuar protestuesit. Elez Biberaj, politolog dhe ish-drejtues i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, tha se protestat nuk janë kundër familjes Trump, por “ pasqyrojnë kolapsin e besimit publik te i gjithë sistemi politik ” në Shqipëri.