Pikat kryesore
- Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për mosraportim apo raportim të rreme të pasurisë.
- Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ahmetin me disa pyetje për këtë aktakuzë, por nuk ka marrë ende përgjigje.
- Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për mosraportim apo raportim të rreme të pasurisë. “Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, që bëri të ditur se rasti tashmë është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ahmetin me disa pyetje për këtë aktakuzë, por nuk ka marrë ende përgjigje. Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007. Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, APK-ja, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar. Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore. Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet. Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burgim. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.