Pikat kryesore
- Ja një shembull: në vend që të ruhej krenaria kombëtare duke paguar miliona euro për ish-burrin e Kardashianit, ato para mund të shkonin tek një prej regjizorëve amerikanë të elitës hollivudiane.
- Pagesa do të vlente vetëm që regjizori i përzgjedhur të çonte në mendje që të bënte një film epik për Skënderbeun.
- Nëse nuk pranonte i pari, me siguri do të gjendej një i dytë a një i tretë që do të yshtej ta bënte atë film.
Në një Shqipëri normale do të duhej të ishte ndryshe. Me kusht që të ishte edhe e mençur. Ja një shembull: në vend që të ruhej krenaria kombëtare duke paguar miliona euro për ish-burrin e Kardashianit, ato para mund të shkonin tek një prej regjizorëve amerikanë të elitës hollivudiane. Qoftë dhe duke i quajtur pagesë lobimi. Jo si milionat e paguara për hallin e Sali Berishës, as “X” fondet e derdhura nga LSI-ja e dikurshme për Uashingtonin dhe as sa “XXL” e socialistëve të Ramës që nuk kursejnë asgjë për ta parë Edin e tyre te hyje në Shtëpinë e Bardhë. Pagesa do të vlente vetëm që regjizori i përzgjedhur të çonte në mendje që të bënte një film epik për Skënderbeun. Një film i natyrës së Gladiatorit të famshëm. Nëse nuk pranonte i pari, me siguri do të gjendej një i dytë a një i tretë që do të yshtej ta bënte atë film. Komunistët e djeshëm, vetëm nëntë vjet mbasi kishin marrë pushtetin, e bënë një film të tillë mes “dashurisë” së dhunshme shqiptaro-sovjetike. Dhe ai është një nga dhuratat më të mëdha që ai pushtet kriminal i ka bërë historisë, krenarisë dhe kujtesës kombëtare. Një ribërje e atij filmi do të shërbente më shumë se tuneli i Llogarasë, shëtitoret buzë detit apo edhe më shumë se getot e luksit në plazhe apo periferi të Tiranës, që pasanikët vanitozë shqiptarë, hajdutët e administratës apo banditët me fat, i gëzojnë si të drejta natyrore. Do të kushtonte shumë më pak se një rrugë e ndërtuar me asfalt të artë dhe shumë më pak se çfarë është paguar dhe do të paguhet më vonë në gjyqe arbitrazhi. Në fakt, njerëzit që kanë qeverisur këtë vend, edhe kur janë përbetuar për figurën e Heroit Kombëtar, nuk e kanë dashur kurrë atë. Shtati i tij i hershëm i ka bërë hije pushtetit të tyre. Nuk e ka dashur Ahmeti që u bë mbret nga një parlament republikan, nuk e ka dashur Hoxha që mendonte se historia e Shqipërisë niste me të, nuk e ka honepsur as Saliu dhe as Rama që mendojnë se janë shqiptarë më të famshëm se Ai.