Pikat kryesore
- Vendimi është komunikuar të martën në pikën kufitare të Kakavijës, ku Hoxha po udhëtonte drejt Janinës.
- Sipas gazetarit, policia greke e kufirit e ndaloi atë në sportelin e kontrollit të pasaportave dhe pasi i mori dokumentin e udhëtimit, e mbajti rreth një orë në komisariat.
- Rreth orës 10:30, atij i është dorëzuar vendimi që e përjashton nga hyrja në Greqi për një afat të pacaktuar.
Gazetari investigativ Artan Hoxha është “person non grata” nga autoritetet e Republikës së Greqisë dhe është ndaluar të hyjë përgjithmonë në territorin grek, pasi konsiderohet “i padëshirueshëm” dhe “kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”. Vendimi është komunikuar të martën në pikën kufitare të Kakavijës, ku Hoxha po udhëtonte drejt Janinës. Sipas gazetarit, policia greke e kufirit e ndaloi atë në sportelin e kontrollit të pasaportave dhe pasi i mori dokumentin e udhëtimit, e mbajti rreth një orë në komisariat. Rreth orës 10:30, atij i është dorëzuar vendimi që e përjashton nga hyrja në Greqi për një afat të pacaktuar. Pas njoftimit, policia greke i vendosi një kryq me stilolaps mbi vulën e hyrjes në pasaportë dhe e urdhëroi të largohej menjëherë nga territori helen. Ky nuk është rasti i parë i ndalimit të gazetarëve shqiptarë nga autoritetet greke. Më herët, i njëjti vendim është marrë edhe për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, i cili vazhdon të mos lejohet të hyjë në Greqi. Sipas Hoxhës, vendimi për e tij “non grata” është marrë që në fillim të vitit 2024, periudhë kur në Greqi zhvillohej fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian. Në listën e partisë në pushtet, Nea Dimokratia, kandidonte edhe Fredi Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, aktualisht i dënuar në Shqipëri. Hoxha ka qenë një prej gazetarëve që ka raportuar gjerësisht për aktivitetet e Belerit, duke përfshirë rolin e tij në ngjarjet e njohura si “Masakra e Peshkëpisë” të vitit 1994, ku mbetën të vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe u morën peng dhjetëra rekrutë. Për këto çështje, gazetari është përballur edhe me procese gjyqësore në Tiranë gjatë viteve 2023–2024.