Pikat kryesore
- Situata politike në partinë më të madhe opozitare, në Partinë Demokratike, po luhatet sipas humorit e sidomos sipas hallit personal të Sali Berishës dhe të familjes së tij!
- Në krye të herës duhet të nënvizojmë, jo pa dhimbje, se Berisha nuk ka rivalë në PD.
- Është partia e tij në fund të herës, e s’mund të lejojë që në krye të kësaj ‘prone’ të vendosë një administrator tjetër, përpos vetes apo një familjari të tij!
Situata politike në partinë më të madhe opozitare, në Partinë Demokratike, po luhatet sipas humorit e sidomos sipas hallit personal të Sali Berishës dhe të familjes së tij! Ky nuk është një konstatim apriori, por i mbështetur në fakte të pakundërshtueshme, të cilat bëhen publike dita ditës nga vetë lidershipi demokrat, si për t’ua bërë më të besueshme qytetarëve shqiptarë dyshimet për gjendjen aspak të mirë në të cilën gjendet kjo parti! Deklaratat e Berishës, Flamur Nokës apo dhe të zyrtarëve të tjerë demokratë, na çojnë si padashje në një realitet tjetër me atë të real, në një realitet paralel, ku absurdi ia zë vendin normales dhe ku njësia matëse politike apo ‘kuti’ politik në PD ka një vlerësim tjetër nga normaliteti shqiptar, rajonal, evropian apo dhe botëror nëse doni! “Turbulenca” në PD nuk është se ka filluar tani. Ajo ka gati 36 vjet që ka qënë pjesë e pandarë e partisë së parë opozitare, por kohët e fundit kjo ‘turbulencë’ ka shkuar paralel me moshën e thyer të lidershipit të kësaj partie, Berisha, duke i dhënë ngjyra aspak reale zhvillimeve brenda PD. Gjithçka u rëndua akoma më shumë për shkak të garës për kreun e PD, ku Berisha, ndonëse sipas nenit ‘Basha’ në statutin e ri të PD, duhej të ishte shkarkuar automatikisht pa asnjë të drejtë kandidimi, në të vërtetë ka vendosur ‘shishen’ i pari për të qënë pjesë e garës! Në krye të herës duhet të nënvizojmë, jo pa dhimbje, se Berisha nuk ka rivalë në PD. Është partia e tij në fund të herës, e s’mund të lejojë që në krye të kësaj ‘prone’ të vendosë një administrator tjetër, përpos vetes apo një familjari të tij! Këtë e kanë të qartë të gjithë, edhe në PD! Berisha u “dogj’ njëherë më Bashën, dhe për pasojë nuk e përsërit më të njejtin ‘gabim’! Por deklarimi nga ana e disa zërave brenda partisë, përmendim këtu anëtarin e kryesisë Ervin Salianji, demokraten Alesia Balliu apo dhe pak më larg veprimtaren në SHBA, Evi Kokalari, se do të hyjnë dhe pa ‘lejen’ e Berishës në garën për kreun e PD, ka prekur fort ‘telat’ e nervave të liderit demokrat, e përkthyer kjo në nisjen e një fushate ‘spastrimi’ e përjashtimesh jo vetëm të këtyre kandidatëve hipotetike përballë tij, por dhe të mbështetësve rrotull tyre! Ka shpikur një term tepër të veçantë, të denjë për situatën në PD dhe ‘fryt’ i realitetit paralel të lidershipit të saj, ‘vetëpërjashtimin’! Pavarësisht kundërshtisë së Salianjit me mbështetësit e tij se janë akoma anëtarë kryesie të PD, në fakt Salianji merr pjesë në mbledhjet e kryesisë si dhe në të gjitha protestat e Berishës dhe të vetë partisë, Berisha, Noka dhe mbështetësit e tyre vijojnë të mos lëvizin nga ky term! Por, për të fuqizuar akoma më shumë ‘vetëpërjashtimin’ e Salianjit dhe të tjerëve, Berisha ka nisur t’i ‘mbushë’ arsyetimet e tij për përjashtimet në PD, me akuza të tilla si ato të bashkëpunimit me krimin e organizuar, mazhorancën e gjëra të këtij lloji! Duke u vetë-akuzuar në fund të herës, se gjatë jetës së saj politike, për zhvillimet në PD ka vendosur krimi! Dhe nga qëndrimet e arritura nga perceptimi në këtë realitet paralel të Berishës, janë përjashtuar nga PD jo vetëm Saliani, Balliu, Burgia apo elementë të tjerë të kësaj partie, në Elbasan, Durrës, Krujë, Fushë Krujë, Mat dhe në degë të tjera të PD, por pothuajse janë shkrirë fare këto degë të sipërpërmendura, çka ka sjellë një rebelim të fortë të bazës së partisë, për të arritur deri atje sa të protestohet dhe në Tiranë e të përpiqen të kapin ‘rob’ Nokën, si strumbullari i gjithë të këqijave që përçohet, sipas tyre, tek Berisha për të vepruar kështu në këtë parti! A thua se bëhet ndonjë gjë në PD pa lejen e Berishës! Noka as në tualet nuk shkon pa lejen e tij, jo më të veprojë jashtë ‘radarit’ të Berishës! Ndikon, duhet të themi pak, por në këtë ‘sektorin’ e përjashtimeve’ nga PD, Berisha ka qënë e është ‘nëna e baba’ i kësaj pune në këto 36 vite! Vetë historiku i PD e tregon këtë, aq sa tashmë i vetmi themelues që ka mbetur në parti, është Berisha. E kemi thënë shpesh se Berisha nuk shqetësohet për faktin se dikush mund ta mundë në garën për kreun e PD. Këtë nuk e vë në diskutim ai, nuk e ka vënë asnjëherë, dhe atëherë kur ‘të gjithë yjet’ ishin kundër tij, pas ‘non grata’ nga SHBA e përjashtimit që i bëri Basha nga grupi e më pas nga partia! Çka solli dhe zemërimin e tij, dhe luftën e paprecedent për rikthimin në krye të PD, përmes përplasjeve deri fizike, dhe në gjykatë, çka e rimori sërish me vulën e logon e PD!