Pikat kryesore
- Ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” ka marrë vendim për largimin e qindra punëtorëve nga puna.
- Sipas të dhënave që ka siguruar Klankosova.tv, thuhet se janë 358 të punësuar që janë prekur nga ky vendim.
- Ndërkaq, zëdhënësi i kompanisë, Shpend Gudaqi, për redaksinë tonë ka bërë të ditura arsyet që kanë çuar ndërmarrjen të marrë vendimin për largim kolektiv të të punësuarve.
Ndërmarrja “NewCo Ferronikeli” ka marrë vendim për largimin e qindra punëtorëve nga puna. Sipas të dhënave që ka siguruar Klankosova.tv, thuhet se janë 358 të punësuar që janë prekur nga ky vendim. Ndërkaq, zëdhënësi i kompanisë, Shpend Gudaqi, për redaksinë tonë ka bërë të ditura arsyet që kanë çuar ndërmarrjen të marrë vendimin për largim kolektiv të të punësuarve. Arsyeja kryesore, sipas tij, është ndalja e gjatë e aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që kompania thotë se vazhdojnë të ndikojnë në shitjet dhe fitimet. “NewCo Ferronikeli Complex L.L.C. njofton se, për shkak të ndaljes së gjatë të aktiviteteve prodhuese dhe kushteve të vështira të tregut që vazhdojnë të ndikojnë shitjet dhe fitimet, kompania do të zbatojë një plan ristrukturimi të fuqisë punëtore si pjesë e përpjekjeve më të gjera për të siguruar stabilitet financiar dhe operativ në plan afatgjatë”. “Ky vendim vjen pas më shumë se dy viteve tejet të vështira për të mbajtur operacionet dhe për të ruajtur të gjitha vendet e punës që nga ndalimi i plotë i prodhimit në tetor 2023. Gjatë kësaj periudhe, kostot fikse operative, pagat dhe mirëmbajtja e kompleksit, janë financuar plotësisht nga kompania pronare”.