Pikat kryesore
- Tezja ndenji ndenji, e filloi zonjë e pleqëroi në karrige, po ama një thagmë ja la amanet kësaj toke: “ne jemi të përkohshëm, Babua është i përjetshëm”!
- …dhe e tha në mëngjes pa rrekëllyer putiret një pas një, që i ngrohin xhanë e ndezin gjakun, vitet e fundit!
- Teze qerratesha ja di kimene llafit, di ta vërtisë sheriannë!
Kronika lëvdon Tezen dhe drithërohet për kokën e Mamicës! Bravo i qoftë! Hajër ishallah. Tezja ndenji ndenji, e filloi zonjë e pleqëroi në karrige, po ama një thagmë ja la amanet kësaj toke: “ne jemi të përkohshëm, Babua është i përjetshëm”! …dhe e tha në mëngjes pa rrekëllyer putiret një pas një, që i ngrohin xhanë e ndezin gjakun, vitet e fundit! Teze qerratesha ja di kimene llafit, di ta vërtisë sheriannë! Meqenëse Mamica kapi majën me Skënderbenë, duke shtrydhur historinë si limon e ndjekur nga Ekonomi, që pushtoi një zabel kur tha Babua është marka e vatanit, Helidona Bilali një kodër me vjedhjen e Zeusit nga mitologjia, Tezja bëri thesar nga kjo eksperiencë e luajti me përjetësinë dhe përkohësinë si koncepte, sa filozofike aq të prekshme, duke i rrëmbyer Tonit mistikën biblike dhe Taos urtësinë e bashkëkohësisë politike prej Babloku! Po rropateshin dhe ata si ideologë të shquar si buaj të parlamentarizmës, por ajo ju vodhi mendimin si Prometeu zjarrin perëndive! Ndërkohë, Niko mori një ftohmë të fortë në Berlin, sa me të kthyer e zunë ethet e temperatura prush! Kostaqi i gatiti një kusi teneqeje me ujë të ngrohtë, i hodhi kripë në të, futi këmbët deri në gju, i tha derisa të mbulojnë djersët; mbi krye i vu një velenxë bërë me lesh Boboshtice, që të mos venin dëm avujt, teksa me ato duar i përzjeu çajin, në të cilin i shtypi një aspirinë! Do përvëlohem, i tha. Futi, futi, insistoi Kostaqi! Ngrije kokën, i tha Kostaqi pas pak, se mufatesh! Jo oreee, klithi ai, me dashke të mirën ti, koka që ngrihet pritet! E ke parë Babon si kasap me hanxhar, fap në sater këto kohë, dhe ju fanepës koka e Mamicës në sini. E kapën të dridhurat bërrr bërrr bërrr, teksa kaçurrelat e saj i lidheshin për qafe si litar e frymëmarrja i pakësohej! Ndaj kokë ulur pa u ndjerë e do Zoti dalim gjallë në behar! Ah, mallkuar qoftë ai Berlini, rënkonte e mejtonte, teksa Kostaqi e tërhoqi mbi një rrogoz, po ishte i rëndë e këputi mish!