Pikat kryesore
- Natyrisht, në një perspektivë më afatgjatë fati i këtyre kazemave sektare është zhdukja e sigurt nga skena e historisë.
- Apoteoza e pastërtisë së saj nga armiqtë e brendshëm imagjinarë shënoi edhe fillimin e rrënimit të saj me vdekjen e Enver Hoxhës.
- I cili, siç ka dëshmuar e shoqja, sadisfaksionin më të madh që mori në varr pati lënien e partisë të pastër!
Partia e vetme në rregjimin njëpartiak nuk ka kosto elektorale nga spastrimet periodike të shoqëruara me lloj lloj anatemimesh të “tradhtarëve” dhe “armiqve të brendshëm”, mendjet e të cilëve bëjnë masë sadopak me dogmatizmin e liderit. Nuk ka kosto sepse nuk ka zgjedhje. Largo, përjashto, linço kë të duash, sa herë të duash. Partia e vetme fiton 99 përqind. Natyrisht, në një perspektivë më afatgjatë fati i këtyre kazemave sektare është zhdukja e sigurt nga skena e historisë. Një shembull tipik është historia e PPSH-së. Apoteoza e pastërtisë së saj nga armiqtë e brendshëm imagjinarë shënoi edhe fillimin e rrënimit të saj me vdekjen e Enver Hoxhës. I cili, siç ka dëshmuar e shoqja, sadisfaksionin më të madh që mori në varr pati lënien e partisë të pastër! E panatyrshmja nuk mban kurrë përjetësisht. Në rendin shumëpartiak, si ky që jetojmë prej 35 vitesh, partitë politike e paguajnë në kohë reale koston e purgave staliniste-enveriste. Sepse njerëzit janë të lirë të shkojnë me çdo parti që duan, ose me asnjërën. E gjithë përpjekja e partive është të bëjnë për vete sa më shumë njerëz me parti e pa parti, mundësisht edhe të palës kundërshtare. Ky është në thelb rendi politik i konkurencës: Fiton kush mbledh më shumë votues dhe vota. Historia nuk i mësoi askujt, asgjë, thoshte me dëshpërim shkrimtarja italiane, Orjana Falaçi, duke patur parasysh mendjet e mbyllura apo antipodin e tyre, pra mendjet e lëshuara nën sundimin çnjerëzor të imagjinares që nuk kanë asgjë të përbashkët me mendjet e hapura. Partia Demokratike e Shqipërisë, që nga lindja e saj, i ka paguar një kosto të vazhdueshme trajtimit të diversiteteve në parti me mentalitetin e partisë unike të rregjimit njëpartiak. Ky është vetëm një prej shartimeve hibride të metodave të rregjimit të mbyllur në shoqërinë e hapur. Që kanë prodhuar ngërçe të mëdha sa në jetën e brendshme të PD-së, aq edhe në ecurinë e demokracisë në vend. Përfundimi: sa herë është pushtuar nga këto tundime partia është zvogëluar. Në një rast të rrallë kur për pragmatizëm është hapur drejt bashkimit në diverisitet, siç janë zgjedhjet e vitit 2005, ajo ka fituar. Edhe atëherë me shumë vështirësi, duke përfituar nga gërryerja e PS-së falë daljes në skenë të LSI-së së Ilir Metës. Por fitoi. E para dhe e fundit fitore në shenjën e bashkimit si të ndryshëm që pas referendumit antikomunist të popullit shqiptar në zgjedhjet e 22 marsit, të cilin Sali Berisha e trajtoi si fitore të veten, ndaj humbi thellë mbi njëzet përqind të votave pas katër muash në zgjedhjet vendore. Nuk dua të zgjatem me listën e shembujve të shumtë të përjashtimeve e largimeve të imponuara nga Partia Demokratike për të cilët kam shkruar me detaje në shumë prej librave të mi publicistikë.