Ligj i ri partish apo thjesht konspiracion?! Partitë politike duhet të jenë

Ligj i ri partish apo thjesht konspiracion?! Partitë politike duhet të jenë

Pikat kryesore

  • Partitë politike duhet të jenë subjekt ndërmjetës mes shtetit dhe votuesit të tyre.
  • Ashtu si funksionojnë në Shqipëri, ato, e kanë kthyer politikën në qëllim interesi (marrjen e pushtetit), kundrejt shërbimit të interesit publik.
  • Nga kjo e shikon pse reagojnë aq ashpër, si në rastin e Ballukut te PS; apo në çështjen e “21 Janarit” tek PD.

Partitë politike duhet të jenë subjekt ndërmjetës mes shtetit dhe votuesit të tyre. Ashtu si funksionojnë në Shqipëri, ato, e kanë kthyer politikën në qëllim interesi (marrjen e pushtetit), kundrejt shërbimit të interesit publik. Nga kjo e shikon pse reagojnë aq ashpër, si në rastin e Ballukut te PS; apo në çështjen e “21 Janarit” tek PD. Fuqia e tyre e pakontrolluar e ka deformuar demokracinë shqiptare. Mosreflektimi i sugjerimeve të raporteve të OSBE-ODHIR, memëcëria e anëtarëve të partive për funksionimin e statutit, individët e zgjedhur për listat e mbyllura, transparenca e financave, mungesa e debatit të brendshëm, kalimet e anëtarëve nga njëra parti në të tjetrën qoftë dhe me ideologji të ndryshme, e kanë trandur besimin e shqiptarëve tek politika post ‘90. Është kaq e vërtetë kjo, saqë ideja e menjëhershme sociologjike kur përmendet politikani, identifikon menjëherë marifetçiun e paskrupullt. Pasojat janë t’hidhura: Indeksi i Demokracisë, një renditje e vendeve, realizuar nga Njësia e Inteligjencës së “Economist”, e tregon Shqipërinë të përkeqësuar në renditjen mbarë-botërore për vitin 2025. Pas Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ruajmë vendin e 71-të nga 173 shtete, madje 2 vende poshtë renditjes së një viti më parë. Në këtë antropologji politike shqiptare, tashmë është më shumë se i nevojshëm një ligj i ri për partitë. Ai, ekzistues, jo vetëm që nuk i disiplinon më partitë tona, por nuk zotëron edhe mekanizmat e duhura për problemet që shfaqin, ku kryesore mbetet transparenca e financimit dhe pastaj problemet e brendshme të mëdha (sidomos tek dy Partitë kryesore). Ashtu si ndodh rëndon pas çdo zgjedhje, OSBE-ODHIR jep rekomandime dhe kështu bëri dhe pas zgjedhjeve të 11 Majit 2025, ku ngritja e një Komisioni të Posaçëm për Reformën Zgjedhore vendos si prioritet hartimin e një Ligji të ri për Partitë politike. Presioni ndërkombëtar ishte vendimtari që kjo nismë të marrë jetë, por publiku mbetet me të drejtë skeptik në realizimin e tij. Çelësi mbetet financimi i tyre, mes shumë të tjerave problemeve syresh. “Partitë politike janë institucionet më pak transparente në Shqipëri në aspektin financiar dhe në pikëpamje organizative. Fitimet e partive politike gjatë fushatave zgjedhore janë me miliona. Ato janë subjektet më fitimprurës dhe përbëjnë politikat më fitimprurëse të biznesit. Ne e bëmë Reformën në Drejtësi, sepse nuk i besonim drejtësisë, e ky ishte zhvillim pozitiv. Por nëse nuk bëjmë reformë të njëjtë; Vetting dhe Reformë tek partitë politike, që janë institucionet me më shumë pushtet dhe me më pak besim në Shqipëri, ne s’kemi zgjidhur më asgjë”, shprehej politologu Afrim Krasniqi për VOA (2023). Së fundmi, Instituti i Studimeve Politike (ISP) dhe Fondacioni “Westminster për Demokraci” (WFD) e vendosën në një nga prioritetet e tyre me aktivitete, por edhe me adresimin e çështjeve më prioritare për ndërhyrje dhe rekomandimet konkrete për këtë legjislacion. Peizazhi shqiptar politik është pjellor: Gjallojnë 132 parti politike, sipas referimeve në regjistrin e gjykatës. Paradoksi është se nëse për krijimin e një formacioni politik duhen 3 mijë firma, në zgjedhje vetëm 15 parti arrijnë votat e “komuniteteve” të tyre!! Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pranon se mbi 70 parti nuk kanë madje as adresë vendndodhje (Krasniqi, 2023). Mes tyre vetëm katër syresh kanë faqe interneti, ndonëse e gjithë politika dhe vendimet e saj lexohen përditë në internet, pohojnë studiuesit. Parti me grupe parlamentare janë vetëm dy, Parti me program politik identifikohen 5, ndërsa 21 parti marrin seli shtetërore falas. Në 4 sisteme elektorale të ndryshuara, vetëm dy partitë e mëdha kontrollojnë jetën në Shqipëri (VOA, 2023). Ndaj, ISP për të rritur integritetin e të zgjedhurve i ka rekomanduar KQZ-së që krahas listës së kandidatëve secili prej tyre të depozitojë edhe të dhëna të dokumentuara mbi organin që e ka zgjedhur, për të treguar më shumë legjitimitet e integritet. Në fillim të viteve ‘50, demokracia arriti njohje pothuajse universale si forma më e mirë e mundshme e qeverisjes në një kuptim më absolut. Në atë kohë, angazhimi ndaj demokracisë në shumë raste ishte më shumë retorik sesa praktik, dhe në çdo rast kishte një debat të konsiderueshëm se çfarë do të thoshte saktësisht demokracia në terma të institucioneve dhe praktikave në terren (McKeon 1951). Në Shqipëri, kjo përpjekje erdhi vonë (pas 1990) dhe çështja humbet në labirintet e paqartësisë të karakterit tradicional të dy Partive kryesore PS dhe PD, ku “në favor” të tyre është edhe sensi se shteti në shoqëritë liberale demokratike normalisht nuk ndërhyn në rregullimin e sjelljes dhe organizimit të tyre. Kjo bëri që PD të shkërmoqej dhe në vitet e fundit të ndahej, pasi strukturat e subjektit, sipas statutit nuk funksiononin. Te PS-ja fenomeni i mungesës së transparencës shkon në atë sesi përdoret administrata tashmë në mandatat që ata janë në drejtim dhe paratë që qarkullojnë.

Lini një Përgjigje