Pikat kryesore
- Thënë këtë, më lejoni të informoj publikisht se siç rezultoj edhe nga seanca e sotme dëgjimore, KLGJ i është drejtuar Kuvendit dhe ka kërkuar ndërhyrjen urgjente ndërinstitucionale për garantimin e sigurisë në gjykata.
- Në këtë frymë është edhe Deklarata e gjyqtarëve që i është drejtuar Kuvendit me kërkesën për veprim dhe bashkërendim institucional.
Më lejoni të ndaj me ju në fund të kësaj mbledhje, për transparencë dhe informim të publikut, një qëndrim të Komisionit lidhur me disa nga iniciativat dhe vendimet që janë ndërmarrë nga ana jonë të dakortësuara në unanimitet nga të gjithë anëtarët e këtij Komisioni. Ngjarja në gjykatën e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm, ishte një ngjarje e rëndë e cila solli si pasojë marrjen e jetës së gjyqtarit të ndjerë Kalaja, një ngjarje me reflektime të gjithanshme e cila kërkon dhe vendos në përgjegjësi politikbërëse dhe institucionale një sërë institucionesh duke përfshirë edhe Kuvendin për të ndërmarrë një reagim të koordinuar institucional. Përtej reagimeve publike, nevoja sot është jo thjesht për të gjetur përgjegjësit, por për të parandaluar ngjarje të cilat cënojnë jetën e magjistratëve, të stafeve gjyqësore dhe prokuroriale si dhe jetën e qytetarëve në ambjentet e institucioneve të drejtësisë, të cilat përbëjnë një cënim të sigurisë së sistemit gjyqësor por edhe më tepër se kaq godasin besimin publik tek shteti ligjor. Thënë këtë, më lejoni të informoj publikisht se siç rezultoj edhe nga seanca e sotme dëgjimore, KLGJ i është drejtuar Kuvendit dhe ka kërkuar ndërhyrjen urgjente ndërinstitucionale për garantimin e sigurisë në gjykata. Në shkresën e saj ka kërkuar konkretisht ndërhyrje urgjente për realizimin e disa masave që lidhen me cilësinë dhe rritjen në numër të personelit të sigurisë në gjykata, mbështetje buxhetore dhe përmirësim të infrastrukturës së sigurisë, rishikimi i kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon sigurinë në gjykata, përcaktimin qartë të kompetencave, institucioneve, aspekteve buxhetore, etj. Në këtë frymë është edhe Deklarata e gjyqtarëve që i është drejtuar Kuvendit me kërkesën për veprim dhe bashkërendim institucional. Në përputhje me parashikimet ligjore të Rregullores së Kuvendit, Komisioni ka pranuar dhe shqyrtuar kërkesën e KLGJ-së dhe në mbledhjen e datës 19.01.2026 pas diskutimeve dhe sugjerimeve të deputetëve si të maxhorancës dhe të opozitës të këtij Komisioni, ka miratuar unanimisht zhvillimin e vizitave monitoruese në disa gjykata të parashikuara në dokumentin e miratuar po në këtë mbledhje “Plani i punës në kuadër të kërkesës së KLGJ-së për sigurinë në gjykata” ashtu si dhe ka miratuar relatorët përkatës.