Një tjetër skemë e ngjashme me atë të famëkeqes Xuex po qarkullon me ritme të shpejta në rrjete komunikimi si Viber. Në grupe të mbyllura me qindra pjesëmarrës, përdoren taktika të njohura manipulimi: persona që prezantohen si “të interesuar” për kriptovaluta, tregime të fabrikuara për fitime marramendëse me BTC, ETH, BNB, dhe presion psikologjik ndaj atyre që nuk investojnë “në kohë”.
Në një nga grupet e monitoruara, me emrin “Académie DeFi”, administrues të shumtë dhe llogari të dyshimta ndërhyjnë vazhdimisht për të mashtruar përdoruesit, duke krijuar një iluzion fitimi të shpejtë. Mesazhet janë të programuar për të nxitur frikë dhe lakmi: disa “miq” që kanë fituar shuma të mëdha, ndërsa të tjerë kanë humbur sepse nuk hynë në valën e parë.
Këto janë tiparet klasike të një skeme piramidale të mbështjellë nën petkun e “botës së kriptomonedhave”. Disa përdorues shqiptarë kanë reaguar tashmë me fjalë si “Na mërzitët boll” apo “Gjej ndonjë tjetër”, duke kuptuar mashtrimin.
📌 Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se këto grupe janë vetëm maja e ajsbergut. Pas tyre fshihen individë apo rrjete kriminale që kërkojnë të rrëmbejnë kursimet e qytetarëve.
👉 Kërkohet reagim i menjëhershëm nga Policia e Shtetit dhe Njësia Kundër Krimit Kibernetik për të hetuar dhe mbyllur këto platforma, ashtu siç ndodhi me Xuex, përpara se të shkaktojnë dëme të mëdha financiare.
🔴 Këshilla: Mos dërgoni para, mos ndani të dhëna personale dhe dilni menjëherë nga grupe të tilla të dyshimta.
