Pikat kryesore
- Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjen më të rëndësishme për mijëra familje që janë të pastreha dhe kanë nevojë për financim me kushte të buta.
- Sipas të dhënave, thirrja është hapur në datën 20 prill dhe do të jetë e hapur deri në 19 maj.
- Kushti thelbësor për të aplikuar është që çdo individ të jetë rezident, pra i regjistruar me vendbanim në Tiranë, ndërsa nuk duhet të ketë asnjë pronë të regjistruar në emrin e tij.
Bashkia e Tiranës ka hapur një nga thirrjet më të rëndësishme për familjet që janë të pastreha dhe kanë nevojë për mbështetje financiare për strehim, përmes programit të kredive me kushte të buta dhe pa interes.
Sipas të dhënave zyrtare, aplikimet janë hapur më 20 prill dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 19 maj. Ky program synon të ndihmojë qytetarët që nuk disponojnë banesë në pronësi dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga bashkia.
Një nga kushtet kryesore për të aplikuar është që individi të jetë rezident në Tiranë, pra të ketë vendbanimin e regjistruar në kryeqytet. Po ashtu, aplikanti nuk duhet të ketë asnjë pronë të regjistruar në emrin e tij.
Ekspertja e tregut imobiliar, Eriola Çanga, thekson se qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm gjatë aplikimit, pasi statusi i të pastrehit nuk mjafton për të përfituar nga ky program.
“Çdo individ që aplikon duhet të jetë mbi 18 vjeç. Nëse në pronën e prindërve rezulton i/e regjistruar edhe individi i interesuar për kredi, ai automatikisht është i skualifikuar. Nuk mjafton vetëm fakti që konsiderohet i pastrehë, por duhet të jetë edhe nën kushtet mesatare që lidhen me nivelin e të ardhurave mujore”, u shpreh Çanga gjatë një interviste në emisionin “E-ZONE”.
Një tjetër kriter thelbësor lidhet me të ardhurat mujore të familjes, pasi në bazë të tyre përcaktohet edhe mundësia për përfitimin e kredisë.
Sipas ekspertes, Bashkia e Tiranës nuk mbulon të gjithë vlerën e banesës, ndaj aplikanti duhet të ketë edhe një pjesë të buxhetit të siguruar vetë.
“Familjet duhet të dinë që kredia pa interes nuk mbulon 100% të vlerës së shtëpisë. Është e domosdoshme që një pjesë të buxhetit ta disponojë vetë aplikanti. Ka raste kur bashkia të shpall fitues, por banka të skualifikon sepse nuk plotëson kriteret e të ardhurave. Ndaj duhet shumë kujdes me tavanet e të ardhurave që ka vendosur bashkia”, tha ajo.
Pas kalimit të kësaj faze, një tjetër sfidë mbetet gjetja e pronës së përshtatshme. Sipas Çangës, shumë aplikantë hasin vështirësi pikërisht në këtë hallkë, pasi apartamentet me tipologji 1+1 janë më të kërkuarat në treg dhe shiten shumë shpejt.
Për këtë arsye, konsultimi me agjentë të tregut imobiliar konsiderohet një zgjidhje efikase për të shmangur vonesat dhe bllokimet në proces.
.