Të gjithë thonë “Jo”, LVV-ja thotë “Po” Për njërin nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Ismet Salihun, Kuvendi nuk është konstituuar ende, pavarësisht se kryetari i tij thotë të kundërtën.
Kryekuvendari Dimal Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive më 30 gusht, edhe pse nënkryetari serb nuk ishte zgjedhur.
Basha tha se të gjitha mundësitë për zgjedhjen e tij janë shteruar dhe se seanca mund të konsiderohet e përfunduar.
“Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari”, përsëriti ai më 1 shtator.
Pas krijimit të kësaj situate, Salihu sugjeron që të pritet zgjidhje nga Gjykata Kushtetuese.
“Kushtetuta është shumë e qartë: grupi më i madh parlamentar i partive të komunitetit serb ka të drejtën të propozojë kryetarin ose nënkryetarin e Kuvendit”, shpjegon Salihu.
“Prandaj, serbëve u është bërë një padrejtësi, sepse nënkryetarin nga komuniteti serb kishte të drejtë ta propozonte vetëm Lista Serbe, pa marrë parasysh se a duam a nuk duam ne”, shton ai.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika, konsideron se “të gjithë kanë bërë gabime”.
“Në parim, procedura është shkelur edhe nga kryetari i Kuvendit, edhe nga përfaqësuesit serbë, sepse nuk kanë vazhduar me propozime, sipas rregullit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Na mbetet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila besoj se do ta kthejë procesin e votimit për përfaqësuesit e komuniteteve në Kryesinë e Kuvendit…
e sa do të zgjasë kjo, nuk e di”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.
Sipas vlerësimit të tij, këto lëvizje janë bërë, në fakt, për ta vonuar konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e procedurave për formimin e Qeverisë së re.
Dyshime të ngjashme janë shfaqur më herët edhe nga vëzhgues të tjerë, pasi Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk ka siguruar mjaftueshëm vota në zgjedhjet e 9 shkurtit për të qeverisur e vetme.
Rashiti thotë se këto “manovra politike” kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por “kanë qenë më transparente”.
“Kam përshtypjen se të gjithë janë të vetëdijshëm se procedua [e konstituimit të Kuvendit] nuk është mbyllur dhe askush nuk do ta marrë veprimin për formimin e Qeverisë”, thotë ai.
Me ligj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet të mandatojë partinë ose koalicionin fitues për formimin e Qeverisë, pas konstituimit të Kuvendit.
Pas një takimi që zhvilloi më 1 shtator me kryekuvendarin Basha, zyra e saj tha se “ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”.
Por, Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, konfirmon po ashtu se Kuvendi nuk është plotësisht i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.
“Neni 67 i Kushtetutës e thotë shprehimisht se Kryesia e Kuvendit përbëhet nga kryetari dhe pesë nënkryetarë, përfshirë detyrimisht një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë”, thekson Çerkini për Radion Evropa e Lirë.
“Rregullorja e Kuvendit e konfirmon se seanca konstituive nuk mund të quhet e përfunduar pa këtë hap.
Kjo çështje është përcaktim i qartë kushtetues”, sipas tij.
Për konstituimin e plotë të Kuvendit, që nga 15 prilli, janë ndërmarrë dhjetëra përpjekje, por pa rezultat, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Çështja është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë dy vendime me afate dhe udhëzime për zhvillimin e procesit.
Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti skadon më 18 shtator.
Më 1 shtator, Basha thirri një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit për t’u konsultuar mbi funksionimin e institucionit, por ajo nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit.
Dy nënkryetarë të partive ish-opozitare, që nuk pajtohen me vendimin e Bashës për seancën konstituive, nuk morën pjesë.
Të gjithë thonë “Jo”, LVV-ja thotë “Po” Mbledhje e tensionuar e kabinetit qeveritar izraelit, Netanyahu refuzon marrëveshjen për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh Rriten vlerat e manganit në liqenin e Badocit, IKSHKP dhe Ujësjellësi: Mos e pini, ju sigurojmë ujë me autobote Kantoni i Cyrihut voton për të hequr mësimet e hershme të frëngjishtes në shkolla Shuhet regjisori i madh shqiptar Dhimitër Anagnosti Transportuesit në Bosnje protestojnë kundër rregullave të BE-së