Hidratim dhe shmangie të ekspozimit gjatë pikut”, ISHP: Si të ruheni nga ditët e nxehta

Hidratim dhe shmangie të ekspozimit gjatë pikut”, ISHP: Si të ruheni nga ditët e nxehta

Pikat kryesore

  • Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën, por edhe Ballkanin, ka sjellë temperatura të larta, të cilat mund të shkaktojnë probleme shëndetësore te popullata nëse nuk tregohet kujdes.
  • Ekspertët e shëndetit publik këshillojnë qytetarët të shmangin daljet gjatë orareve të pikut, sidomos nga ora 11:00 deri në 18:00.
  • “Disa nga rekomandimet dhe këshillat që ne japim janë kufizimi ose shmangia e daljeve gjatë orareve të pikut, nga ora 11:00 deri në orën 16:00.

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën, por edhe Ballkanin, ka sjellë temperatura të larta, të cilat mund të shkaktojnë probleme shëndetësore te popullata nëse nuk tregohet kujdes. Ekspertët e shëndetit publik këshillojnë qytetarët të shmangin daljet gjatë orareve të pikut, sidomos nga ora 11:00 deri në 18:00. “Disa nga rekomandimet dhe këshillat që ne japim janë kufizimi ose shmangia e daljeve gjatë orareve të pikut, nga ora 11:00 deri në orën 16:00. Këshillohet qëndrimi në ambiente të freskëta dhe mbajtja e trupit të hidratuar dhe të freskët. Nëse është e nevojshme të dalim jashtë, duhet të vishemi me rroba sa më të lehta dhe me ngjyra të çelëta, të mbajmë syze dielli, kapele ose çadër, si dhe të kemi gjithmonë me vete një shishe ujë. Konsumi i ujit është shumë i rëndësishëm për të shmangur dehidratimin. Gjithashtu, duhet të shmangim konsumimin e kafesë, pijeve alkoolike dhe pijeve të gazuara”, tha Rudina Cunashi. Për eksperten e shëndetit publik, kujdes të shtuar duhet të tregojnë të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. “Të gjithë jemi të rrezikuar nga temperaturat e larta, por disa grupe të popullatës janë më të ndjeshme dhe më vulnerabël ndaj ekspozimit ndaj këtyre temperaturave. Ndër grupet më të rrezikuara mund të përmendim fëmijët e vegjël, të moshuarit, të sëmurët kronikë, individët që jetojnë vetëm, gratë shtatzëna, si edhe personat që punojnë në ambiente të hapura”, tha ajo. Po ashtu, kujdes duhet treguar edhe për fëmijët, ndaj mjekët këshillojnë ushqim të freskët dhe veshje të lehta pambuku. “Rekomandohen vakte të lehta, ushqime të pasura me perime, si dhe konsumi i frutave. Një kujdes të veçantë duhet të kemi edhe për fëmijët e vegjël. Fëmijët që ushqehen me qumësht gjiri deri në moshën gjashtë muajsh nuk kanë nevojë të pinë ujë, pasi qumështi i gjirit i plotëson të gjitha nevojat e tyre për hidratim. Kujdes i veçantë duhet të tregohet edhe për përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimeve, pasi temperaturat e larta favorizojnë prishjen e tyre dhe rrisin rrezikun për diarre, të vjella dhe helmime ushqimore”, tha ajo. Ditët në vijim, dhe sidomos fundjava, pritet të sjellin temperatura përvëluese deri në 40 gradë Celsius. Përdorni veshje të lehta pambuku, me ngjyra të hapura. Përdorni syze dielli, kapele ose çadër. Qëndroni në ambiente me temperaturë 25–27°C. Konsumoni ujë, perime dhe fruta të freskëta.

Lini një Përgjigje