E ftuar mëngjesin e sotëm në studion e Wake Up, Rabea Shahini, bashkëshortja e Mirit—një prej banorëve më të komentuar të Big Brother VIP Albania 5—ka vendosur t’i japë fund njëherë e mirë zërave dhe aludimeve që kanë qarkulluar së fundmi në media lidhur me marrëdhënien e tyre.
Gjatë intervistës, ajo u ndal fillimisht te mënyra se si i ka përjetuar spekulimet për jetën e saj personale, duke treguar se për shkak të eksperiencës në politikë, është mësuar me komente dhe lajme jo gjithmonë të vërteta.
“Unë jam mësuar nga politika që shprehen shumë gjëra që nuk janë gjithmonë të vërteta. Nuk është se më prek shumë, por ka shumë gjëra që nuk janë të vërteta. Ne as jemi ndarë, as kemi ndonjë marrëdhënie të çuditshme,” u shpreh ajo, duke hedhur poshtë kategorikisht çdo dyshim mbi krizë në çift.
Një nga temat më të përfolura ka qenë edhe pretendimi se martesa e tyre është bërë për përfitime dokumentesh jashtë vendit. Edhe këtë, Rabea e mohoi prerë, duke dhënë një sqarim të detajuar mbi situatën reale.
“Madje për të sqaruar atë që është thënë sikur Miri është martuar me mua për letra, Miri akoma nuk i ka marrë letrat. E ka pasur mundësinë për të marrë nënshtetësinë gjermane, por nuk e ka bërë sepse e do shumë atdheun. Miri ka një karrierë këtu dhe kjo karrierë nuk vazhdon nëse nuk është këtu,” theksoi ajo.
Megjithatë, ajo pranoi se marrëdhënia e tyre nuk është pa sfida. Për shkak të angazhimit të saj profesional në Parlamentin Gjerman, çifti nuk jeton vazhdimisht në të njëjtin vend, një situatë që kërkon sakrifica nga të dyja palët.
“Edhe për ne ishte vendim i vështirë. Nuk do jetë gjithmonë kështu, por për momentin… Nuk është e lehtë për ne. Është sakrificë për ne, veçanërisht për Mirin, se ai e do shumë vajzën e tij. Nuk është e thjeshtë të mos jesh gjithë kohën me të,” rrëfeu ajo.
Në vijim të bisedës, Rabea ndau edhe detaje më personale, duke treguar për lidhjen shumë të ngushtë mes Mirit dhe vajzës së tij. Sipas saj, ata kanë një raport të veçantë dhe ndajnë shumë momente të përbashkëta në përditshmëri.
“Ata vdesin të bëjnë shopping, shohin nëpër dyqane, luajnë Nintendo, rrinë shtrirë në kolltuk në të njëjtin pozicion, madje edhe flenë njësoj,” tregoi ajo me buzëqeshje.
Për ta ilustruar këtë lidhje, ajo ndau edhe një episod domethënës: “Një ditë e çova televizorin te BBV dhe Miri ishte në gjumë akoma, shkova tek dhoma e gjumit dhe pashë edhe vajza po flinte po në të njëjtin pozicion.”
Ky rrëfim vjen në një moment kur Miri vazhdon rrugëtimin e tij në “Big Brother VIP Albania 5”, ndërsa jeta e tij personale mbetet një nga temat më të diskutuara jashtë shtëpisë. Deklaratat e Rabeas duket se synojnë të qartësojnë realitetin dhe të shuajnë zërat, duke treguar një anë më njerëzore dhe të ndjeshme të historisë së tyre familjare.