Zgjedhjet në Tiranë/ “Alimehmeti ose Tabaku e kanë të fituar garën”, Duka: Opozita duhet të bashkojë të gjithë faktorët! Nuk do kisha frikë të kandidoja vetë, por… Pas shkarkimit të Erion Veliajt nga posti i Kryebashkiakut të Tiranës, qyteti po përgatitet për zgjedhje të parakohshme për kreun e Bashkisë. Partia Socialiste ka shpallur kandidaturën e Ogerta Manastirliut, ndërsa në anën tjetër, aleatët e Partisë Demokratike janë duke diskutuar mundësitë për të nominuar një kandidat të përbashkët opozitar. I ftuar në studion e News24 , Agron Duka, kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste dhe aleat i PD-së, ka folur kundër fragmentimit të opozitës dhe ka apeluar për një bashkim të forcave opozitare për të sfiduar PS-në në këtë garë vendimtare. Ai ka theksuar se figurat më të votuara, si Ilir Alimehmeti dhe Jorida Tabaku, janë kandidatë të fuqishëm që mund të sfidojnë kandidaturën e Manastirliut, por gjithashtu ka paralajmëruar për vështirësitë që paraqet një garë e tillë, ku ndikimi i forcave të tjera si pushteti ekonomik dhe krimi mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar. “20 mijë vota janë shumë për secilin, një individ që ka 20 mijë vota e ka të fituar garën, por problemi është që kjo garë nuk është thjesht për vota. Kemi shumë faktorë që ndikojnë, si fuqia ekonomike, ndihma e grupeve të caktuara dhe ndikimi i krimit, të cilët shpeshherë kanë një rol të rëndësishëm,” tha Duka. Ai vazhdoi duke shtuar se kandidatë si Alimehmeti, i cili ka marrë 20 mijë vota në një garë të mëparshme, janë të fuqishëm për të sfiduar çdo kundërshtar, por theksoi se kjo nuk është vetëm çështje votash. “Problemi është që ndonjëherë, pavarësisht se kush ka më shumë vota, nëse nuk ka një frymë të përbashkët dhe sinergji mes opozitës, atëherë çdo përpjekje është e kotë,” tha Duka. Ai përmendi disa emra të tjerë të mundshëm për aleancë me PD, si Agron Shehaj dhe Lapaj, që kanë mbështetje nga elektorati, por theksoi se duhet një bashkëpunim më i madh për të arritur një rezultat të mundshëm. Duka gjithashtu deklaroi se nuk ka frikë të garojë, por shtoi se ai është më i lidhur me Durrësin dhe nuk e ka fokusin në Tiranë. Duka përfundoi duke theksuar se për të pasur një mundësi reale për të fituar në Tiranë, duhet të ekzistojë një sinergji mes të gjithë forcave opozitare. “Ky nuk është vetëm një program politik, por një angazhim për të bashkuar të gjithë opozitarët dhe për të krijuar një frymë të përbashkët që do të sjellë një rezultat pozitiv,” përfundoi ai. loading…
Erion Veliajt shpall Zgjedhjet në Tiranë/ “Alimehmeti ose Tabaku e kanë të fituar garën”,…