Pikat kryesore
- Misioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri është një sfidë e jashtëzakonshme në një situatë ku shkelja flagrante e të drejtave të qytetarëve është kthyer në një histori të gjatë shumëvjeçare.
- Raporti i publikuar së fundmi rekomandon mbylljen e menjëhershme të pesë burgjeve në Shqipëri, për shkak të kushteve pa dinjitet dhe trajtimit në mjerim të të burgosurve.
- Ai flet me detaje për situatën në burgjet e Shqipërisë, por edhe për atë që ndodh në komisariate me të ndaluarit apo të arrestuarit, sidomos të miturit.
Misioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri është një sfidë e jashtëzakonshme në një situatë ku shkelja flagrante e të drejtave të qytetarëve është kthyer në një histori të gjatë shumëvjeçare. I zgjedhur prej disa muajsh në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani flet për kushtet e mjerueshme në qelitë e burgjeve, nëpërkëmbjen e shtresave në nevojë, çështjen e pazgjidhur të pronave, të zhdukurit e diktaturës dhe problematikat e kategorive të ndryshme që kërkojnë mbrojtje. Endri Shabani, prej disa muajsh në krye të këtij institucioni, flet për sfidat që lidhen me shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut, përballë një indiference të vazhdueshme të institucioneve, edhe kur Avokati i Popullit rekomandon urgjentisht ndryshime. Raporti i publikuar së fundmi rekomandon mbylljen e menjëhershme të pesë burgjeve në Shqipëri, për shkak të kushteve pa dinjitet dhe trajtimit në mjerim të të burgosurve. Ai flet me detaje për situatën në burgjet e Shqipërisë, por edhe për atë që ndodh në komisariate me të ndaluarit apo të arrestuarit, sidomos të miturit. Endri Shabani ndalet edhe te numri shqetësues i të paraburgosurve, një shifër mw shumw se dy herë më e lartë se në vendet e Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për shtetas shqiptarë të akuzuar apo nën hetim për një vepër penale, por që qëndrojnë në paraburgim për muaj e ndonjëherë vite të tëra, ndërkohë që gjykata ende nuk ka dhënë një verdikt përfundimtar. Shabani flet edhe për të paraburgosurit VIP, si ish-presidenti i Republikës Ilir Meta, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, apo ish-ministra dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, të cilët prej muajsh apo vitesh ndodhen në paraburgim. Ai thotë se ata nuk janë prioriteti i tij, por si çdo shtetas shqiptar që ankohet për trajtimin në qeli, edhe rastet e tyre janë dëgjuar dhe për to ekzistojnë raporte të Avokatit të Popullit. “I vetmi kontribut i avokatëve të ish-zyrtarëve të arrestuar dhe që ndodhen në paraburgim është sensibilizimi i opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të supozuara të shkelura në paraburgim”, thotë Shabani, ndërsa shprehet i shqetësuar për qindra e ndoshta mijëra qytetarë të tjerë që vuajnë padrejtësisht me muaj apo vite në paraburgim. Duke e konsideruar paraburgimin si një hapësirë që krijon terren për korrupsion në sistemin e drejtësisë, Shabani flet për emergjencën e adresimit të kësaj problematike, për të cilën thotë se Avokati i Popullit është angazhuar me propozime konkrete. “Meta, Veliaj, Beqaj etj. janë ankuar te Avokati i Popullit. Paraardhësja ime ka shkuar atje, i ka vizituar në qeli dhe ka bërë raport për secilin prej tyre. Por për mua nuk janë prioritet të burgosurit VIP, sepse prioritet janë ata të paraburgosur që nuk kanë një zë. VIP-at janë njësoj si shtetasit e tjerë dhe kanë më pak nevojë për Avokatin e Popullit sesa qytetarët e zakonshëm, të cilët, për shembull, nuk marrin shërbim shëndetësor”, thotë Shabani.