Dita e rinisë, pa të rinj/ Në 13 vite tkurren me 45%, nga emigracioni i lartë

Dita e rinisë, pa të rinj/ Në 13 vite tkurren me 45%, nga emigracioni i lartë

Pikat kryesore

  • Ky trend, që ka mbetur kokëfortë në dy dekadat e fundit, është pasqyra më e qartë se qeveritë dhe shoqëria nuk kanë arritur të edukojnë dhe formojnë të rinjtë së paku për të qenë të zotët e vetes.
  • Të gjendur në këtë situatë, shumica e të rinjve shqiptarë në grupmoshën 15–29 vjeç shohin emigrimin si zgjidhjen kryesore për jetën e tyre.
  • Megjithë përpjekjet, sistemi arsimor në vend nuk po mund të lidhet me nevojat e tregut të punës dhe cilësia e të nxënit ka pësuar ulje.

Dita e rinisë, pa të rinj/ Në 13 vite tkurren me 45%, nga emigracioni i lartë Më shumë se një e katërta e të rinjve shqiptarë gjenden në të 30-tat e tyre pa asnjë zanat, arsim profesional apo të lartë të përfunduar dhe për më tepër nuk janë në asnjë lloj pune. Ky trend, që ka mbetur kokëfortë në dy dekadat e fundit, është pasqyra më e qartë se qeveritë dhe shoqëria nuk kanë arritur të edukojnë dhe formojnë të rinjtë së paku për të qenë të zotët e vetes. Të gjendur në këtë situatë, shumica e të rinjve shqiptarë në grupmoshën 15–29 vjeç shohin emigrimin si zgjidhjen kryesore për jetën e tyre. Megjithë përpjekjet, sistemi arsimor në vend nuk po mund të lidhet me nevojat e tregut të punës dhe cilësia e të nxënit ka pësuar ulje. Luhatjet në arsim dhe punësim e kanë çorientuar rininë, e cila, në vend që të reagojë dhe të kërkojë llogari, po zgjedh largimin. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 në të gjithë vendin kishte vetëm 405 mijë të rinj të moshës 15–29 vjeç, ose 45 për qind më pak se në censin e vitit 2011. Rënia e popullsisë së re në moshë më shumë sesa me lindjet më pak lidhet me emigracionin e lartë, që ka marrë përmasat e pandemisë në këtë grup-moshë. Numri i të rinjve ndërmjet dy censeve 2011–2023 ka rënë tre herë më shumë se popullsia e përgjithshme. Në arsim, të dhënat e vitit 2024–2025 tregojnë se numri i nxënësve dhe studentëve po vazhdon të tkurret. Regjistrimet në sistemin parauniversitar kanë rënë, veçanërisht në arsimin 9-vjeçar, ndërsa edhe universitetet po përballen me më pak aplikime dhe më shumë braktisje. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se për periudhën 2020–2025, totali i nxënësve të regjistruar në të gjitha nivelet ka rënë me rreth 61 mijë, që përbën një tkurrje prej 10%. Ndërsa gjatë dekadës nga viti 2015 deri më 1 janar 2025, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ra me mbi 31%, ose 112 mijë më pak. Kjo tkurrje demografike po bën që vendi të ketë gjithnjë e më pak të rinj që hyjnë në sistemin arsimor, më pak studentë që diplomohen dhe më pak fuqi punëtore të kualifikuar për të ardhmen. Megjithatë, edhe ata që diplomohen ndeshen me sfida të mëdha në tregun e punës. Punësimi i të rinjve mbetet problematik, me nivele papunësie që luhaten rreth 22% për moshat 15–29 vjeç. Një tjetër fenomen shqetësues është papunësia mes të diplomuarve në universitet. Pavarësisht viteve të studimit dhe investimeve të familjeve, rreth 15% e të rinjve me arsim të lartë rezultojnë të papunë. Kjo ndodh sepse universitetet prodhojnë më shumë specialistë në fusha si drejtësia, ekonomia dhe menaxhimi, ndërkohë që tregu kërkon profile teknike, inxhinierike, profesione të zanatit, turizëm dhe teknologji. Kjo mospërputhje shton nën-punësimin dhe detyron të rinjtë ose të punojnë jashtë profilit, ose të kërkojnë mundësi jashtë vendit. Shqipëria kryeson me diferencë të madhe listën e 45 vendeve me përqindjen më të lartë të emigrantëve në raport me popullsinë në vitin 2023. Sipas vlerësimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), për çdo një mijë banorë në Shqipëri 22.1 ishin emigrantë në 38 vendet e OECD-së, një tregues që e vendos Shqipërinë shumë përpara vendeve të tjera si Rumania (12.7 emigrantë për 1000 banorë), Bullgaria (11.9) apo Kuba (10.6). Ky nivel i lartë emigrimi nënkupton se gati një në çdo 4 shqiptarë ka emigruar jashtë vendit, duke reflektuar përmasat e jashtëzakonshme të lëvizjes demografike që ka prekur vendin tonë gjatë dekadës së fundit. Shumica e këtyre emigrantëve, mbi 80%, janë të rinj. Niveli i lartë i emigrimit është ndoshta pasqyra e pakënaqësisë sociale dhe ekonomike të brezit të ri.

Lini një Përgjigje