Një rrëfim ndryshe ka ardhur nga detektivja private, Shkënda Lili, e cila foli hapur për temën e tradhtisë në çift dhe për periudhat kur, sipas saj, ndodhin më shumë tradhti.
E ftuar në emisionin e “Top Albania Radio”, Lili zbuloi se muajt e verës dhe dhjetori janë periudhat më “të nxehta” për çiftet – dhe më të ngarkuarat për punën e saj si hetuese private.
“Kjo është periudhë e mirë për punën time sepse ka më shumë lëvizje. Pas verës qetësohen çiftet, por me periudha është edhe puna ime. Muajt e verës dhe dhjetori janë super full,” – u shpreh ajo.
Sipas saj, shumë raste tradhtie ndodhin në prag të festave, kur njerëzit kthehen nga emigracioni dhe rifillojnë kontaktet e vjetra apo lidhje paralele.
“Në këtë periudhë vijnë shumë nga emigracioni, fillojnë dyshimet. Ata që vijnë nga jashtë duan ta shfrytëzojnë sa më shumë periudhën,” – shton Lili, duke theksuar se si edhe meshkujt, edhe femrat tradhtojnë në të njëjtën masë.
Por si reagojnë shqiptarët kur zbulojnë tradhtinë?
Sipas saj, shumica e grave shqiptare e falin tradhtinë, edhe pse publikisht tregohen të forta.
“Shqiptarët bëjnë sikur nuk e falin, por përfundimi është që e falin. Në Shqipëri është numri i pakët i grave që nuk e falin. E mendojnë gjatë – është ekonomia, është dhuna në familje, por për tradhti nuk ndahen përgjithësisht.”
Detektivja shtoi se kjo ndodh shpesh edhe tek gratë e njohura, bashkëshortet e politikanëve dhe artistëve, të cilat bëjnë “pakt me veten” për të ruajtur familjen, imazhin dhe stabilitetin ekonomik.
“Gratë e politikanëve, artistëve bëjnë pakt me veten – ai me një anë, vetë me një anë, ekonomia dhe fëmijët bashkë. Është një fasadë,” – deklaroi ajo.
Ndërsa për burrat, situata duket ndryshe.
“Meshkujt shqiptarë e kanë shumë të vështirë ta falin tradhtinë. Janë shumë të rrallë ata që e falin, por gratë po. Edhe kur ndahen nuk përmendin tradhtinë, por një faktor tjetër.”
Në fund, Shkënda Lili rrëfeu se shpesh e gjen veten përballë kontradiktave të mëdha mes jetës reale dhe asaj që shfaqet në rrjetet sociale:
“Kur shoh në rrjete sociale çifte të lumtur, që në fakt i kam pasur në zyrë, qesh. Kanë ardhur edhe personazhe të njohur. Është ajo fasada… Tendencën më të madhe e kanë njerëzit që kanë pushtet nga ana ekonomike,” – përfundoi ajo.