Nafta rritet në 224 lekë/litër nga sot – ulja e akcizës shmang një shtrenjtim edhe më të madh

Bordi rrit çmimin e naftës në 224 lekë, ulja e akcizës amortizon 9 lekë/litër, edhe gazi…

Çmimi i naftës në vend është rritur sërish, ndërsa njëkohësisht ka hyrë në fuqi edhe vendimi i qeverisë për uljen e akcizës me 20%, duke zbutur pjesërisht ndikimin për konsumatorët.

Sipas vendimit të Bordit të Transparencës, një litër naftë do të tregtohet në tregun e pakicës me 224 lekë, nga 218 lekë që ishte më parë, duke shënuar një rritje prej 6 lekësh për litër. Megjithatë, nëse nuk do të ishte aplikuar ulja e akcizës, çmimi i naftës do të arrinte në 233 lekë/litër, ose 9 lekë më shumë sesa niveli i miratuar aktualisht.

Ndërkohë, çmimi i benzinës mbetet i pandryshuar në 181 lekë/litër, ndërsa gazi nuk ishte pjesë e vendimmarrjes së kësaj mbledhjeje, duke lënë hapësirë që çmimi i tij të pësojë luhatje nga operatorët në treg.

Vendimi i ri hyn në fuqi sot në orën 20:00, në të njëjtën kohë me zbatimin e akcizës së reduktuar.

Rritja e çmimit të naftës vjen si pasojë e rritjes së ndjeshme në tregjet ndërkombëtare. Një ditë më parë, çmimi referencë Platts Gasoil CIF arriti në 1617 dollarë/ton, me një rritje prej 195 dollarësh krahasuar me ditën pararendëse. Ndërsa çmimi FOB u regjistrua në 1572 dollarë/ton.

Këto nivele të larta reflektohen drejtpërdrejt në doganat shqiptare, ku mbi bazën e këtij çmimi bëhet edhe përllogaritja e taksave. Sipas të dhënave, vetëm barra fiskale në doganë arrin në rreth 105 lekë për litër, çka përbën një pjesë të konsiderueshme të çmimit final.

Ecuria e çmimeve ndërkombëtare ka qenë në rritje të fortë gjatë javëve të fundit. Nga data 27 shkurt, kur Platts ishte 763 dollarë/ton, ai arriti në 1435 dollarë/ton më 27 mars, dhe në 1617 dollarë/ton ditën e djeshme, duke u rritur me mbi 700 dollarë dhe duke u më shumë se dyfishuar brenda një periudhe të shkurtër.

Në këto kushte, vendimi për uljen e akcizës konsiderohet si një masë lehtësuese për konsumatorët, megjithatë trendi i çmimeve mbetet i lidhur ngushtë me zhvillimet në tregjet globale të naftës.

Lini një Përgjigje