Pikat kryesore
- Epoka e Iluminizmit ka qenë dhe mbetet një ndër më interesantet në historinë e njerëzimit.
- Figura qendrore dhe, padyshim, më e shquara e asaj epoke ishte Volteri, ndaj edhe, shpesh herë, ajo është quajtur l’époque de Voltaire.
- Për më shumë se gjysmë shekulli kam lexuar shumë nga veprat dhe letrat e tij dhe gjithnjë kam mbetur i mahnitur nga thellësia e mendimit, nga stili i tij dhe besimi që ai kishte tek Arsyeja dhe tek e Vërteta.
Epoka e Iluminizmit ka qenë dhe mbetet një ndër më interesantet në historinë e njerëzimit. Figura qendrore dhe, padyshim, më e shquara e asaj epoke ishte Volteri, ndaj edhe, shpesh herë, ajo është quajtur l’époque de Voltaire. Për më shumë se gjysmë shekulli kam lexuar shumë nga veprat dhe letrat e tij dhe gjithnjë kam mbetur i mahnitur nga thellësia e mendimit, nga stili i tij dhe besimi që ai kishte tek Arsyeja dhe tek e Vërteta. Leximi i veprave të Volterit ka nxitur shpesh herë një monolog të brendshëm tek unë, sepse idetë e tij të angazhojnë, të vënë në punë mendjen e të bëjnë të reflektosh për kohën e tij dhe për kohën tonë. Ky monolog i vazhdueshëm më krijoi së fundmi një dëshirë të habitshme për të komunikuar me këtë champion de la raison et de la tolérance , siç me të drejtë është quajtur ai. Një dëshirë e marrë, por kokëfortë, këmbëngulëse. Iu nënshtrova kësaj dëshire pa shumë rezistencë, si një ushtrimi të dobishëm intelektual, dhe e lashë të lirë imagjinatën. Produkt i saj është kjo bisedë me Volterin një mbrëmje në Paris, në një kohë pa datë, në Café Procope, kafeja e tij e preferuar në 13 Rue de l’Ancienne-Comédie, të cilën e ndaj sot me lexuesin. Monsieur de Voltaire, mirë se vini në shekullin e 21-të! Si ishte rrugëtimi juaj në kohë? Volter : I jashtëzakonshëm. Në Paris ndien më pak erë kuajsh dhe më shumë aromë kafeje të djegur. E quani kafe këtë që pini? Po. Njerëzit sot nuk jetojnë dot pa të. Në Amerikë madje kanë një shprehje: There’s no life before coffee , edhe pse kafeja që pinë atje nuk i afrohet aspak kafesë që pihet sot në Napoli, në Tiranë apo në Paris. Thonë se kafeja të nxit në punë, motivon bisedat… Volter : Dhe mediokritetin, ma ha mendja. Disa gjëra kurrë nuk ndryshojnë. Keni të drejtë. Por mendoj se as kjo kafé, që me sa kam lexuar është më e vjetra në Paris, nuk ka ndryshuar qysh nga koha kur këtu vinit ju. Kjo është arsyeja që ju propozova të takoheshim në këtë vend.