Elvana Gjata rrëfen gjithçka: Dua një fëmijë, kam sakrifikuar familjen për karrierën …

Nga heshtja për të shkuarën te dëshira për familje: Elvana Gjata rrëfen jetën private

Pikat kryesore

  • Elvana Gjata është shfaqur së fundmi në një intervistë në “The Dalina Show”, ku ka folur për karrierën, jetën personale dhe momentet që e kanë formësuar ndër vite.
  • Nuk mund të them as që nuk dua të marr pjesë, as do marr pjesë.
  • Në fund, Elvana nuk e fshehu dëshirën për të pasur një fëmijë, duke e konsideruar një ëndërr personale: “Unë gjithmonë kam dashur që të kem fëmijë sepse i dua jashtëzakonisht shumë fëmijët.

Elvana Gjata është shfaqur së fundmi në një intervistë në “The Dalina Show”, ku ka folur për karrierën, jetën personale dhe momentet që e kanë formësuar ndër vite.

E pyetur për rikthimin e mundshëm në Festivali i Këngës, ajo nuk dha një përgjigje të prerë, duke lënë gjithçka të hapur për të ardhmen.

“Nga të dyja festivalet unë kam marrë 2 valixhe shumë të mira me mësime, të cilat do t’i përdor për herën e tretë që nuk e di kur do të jetë. Nuk e di se si do të vijë jeta. Nuk mund të them as që nuk dua të marr pjesë, as do marr pjesë. Nuk e di sinqerisht, do t’i lë gjërat të vijnë natyrshëm”, u shpreh ajo.

Këngëtarja foli edhe për sakrificat që i ka sjellë fama dhe angazhimet e shumta, duke pranuar se një nga gjërat më të vështira për të është mungesa pranë njerëzve të saj më të afërt.

“Një nga faturat më të shtrenjta që unë paguaj dhe një nga sakrificat më të mëdha që unë bëj në punën që bëj është të mos jem prezente aq sa do doja të isha prezente në jetët e njerëzve të mi më të shtrenjtë dhe këtë gjë e vuaj shumë”, tha ajo.

Duke folur për mënyrën si i përballon momentet e vështira, Elvana Gjata u shpreh se ka zgjedhur të mos kërkojë ndihmë profesionale, por t’i kalojë vetë.

“Të gjitha momentet më të vështira të jetës time kam zgjedhur që t’i kaloj me veten dhe unë nuk kam zgjedhur asnjëherë që të kërkoj ndihmë profesionale. Momentet më të errëta i kam kaluar me forcën që kam gjetur brenda vetes time”, tha ajo.

Artistja shtoi se muzika për të është mënyra më e fortë e shprehjes së emocioneve dhe reagimit ndaj gjithçkaje që përjeton.

“Gjithmonë mesazhet më të forta kam zgjedhur t’i jap përmes muzikës. Dhimbjen dhe emocionet e forta i përdor si karburant për artin tim”, u shpreh këngëtarja.

E pyetur për suksesin dhe mënyrën si perceptohet në shoqëri, ajo theksoi se shpesh nuk është e lehtë të pranohet suksesi i një gruaje.

“Mendoj që nuk pranohet lehtë në shoqërinë tonë që një femër të jetë e suksesshme, të jetë e zonja e vetes dhe të krijojë të ardhura shumë të mira me profesionin e saj”, deklaroi ajo.

Sa i përket dashurisë, Elvana e përshkroi atë si një ndjenjë që të rrit kur është e shëndetshme.

“Dashuria të frymëzon, të bën njeri më të mirë dhe më kreativ. Dashuria nuk janë fjalët e bukura, por janë veprat”, tha ajo.

Në fund, artistja nuk e fshehu dëshirën për të pasur një fëmijë, duke e konsideruar këtë një ëndërr personale.

“Unë gjithmonë kam dashur që të kem fëmijë sepse i dua jashtëzakonisht shumë. Është një ëndërr që edhe unë të kem bekimin që të kem një fëmijë në jetë”, përfundoi Elvana Gjata.

Lini një Përgjigje