Gara për kreun e BKH-së shkon te testi së vërtetës, kush janë dy emrat e vetëm që e…

Shtatë kandidatët për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit i janë nënshtruar testit të poligrafit, ose në makinerinë e “provës të së vërtetës”.

Një makineri e krijuar nga njerëzit dhe e drejtuar po nga njerëzit, ku kandidatët e FBI-së shqiptare kaluan një e nga një.

Ky test duket se ka vulosur edhe “fitoren” e Joni Ketës, duke qenë se është një nga më të preferuarit e SPAK-ut.

Fakti që pas mbarimit të mandatit dhe shkarkimit të drejtueses aktuale Aida Hajnaj, kandidati Joni Keta po drejton BKH-në si i komanduar, e çon automatikisht si drejtues.

Në muajin prill të vitit 2025, Prokuroria e Posaçme nxori një dokument për “përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Fillimisht u ngrit një komision, me prokurorët Arben Kraja, Behar Dibra dhe vetë drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani.

Aktualisht, sipas burimeve nga SPAK-u, kandidatët janë pikërisht në fazën e katërt, testi i poligrafit dhe intervistë në panel.

Deri më tani kanë qenë 7 kandidatë që shkuan në këtë fazë dhe ata janë Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Sipas burimeve nga Prokuroria e Posaçme, testin e së vërtetës (poligrafin) e kanë kaluar vetëm dy kandidatë, Gentian Ndoi dhe Joni Keta.

Duket se nga kjo dyshe do të jetë drejtuesi e BKH-së për vitet e ardhshme, duke përcaktuar si drejtues me shumë mundësi Joni Ketën Në rregulloren për zgjedhjen apo riemërimin e kreut të BKH-së përcaktohej se kandidatët duhet të jepnin pëlqimin për kryerjen e testit të së vërtetës (poligrafit).

Dumani, Dibra dhe Kraja kanë shkruar se në përfundim të fazës së testimit fizik dhe me shkrim, komisioni rendit kandidatët e kualifikuar për të vazhduar në fazën tjetër të konkurimit, që është testi i poligrafit dhe intervista me gojë.

“Përzgjedhja në këtë fazë do të bëhet bazuar në disa kritere si rezultati i arritur në testin fizik, rezultati i arritur në testin logjik me shkrim, rezultati i arritur në testin ‘ese’, eksperienca në çështje që kanë të bëjnë me vepra penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda si dhe eksperienca si drejtues i një strukture”.

Por, çfarë është testi i poligrafit që duket se ka përcaktuar edhe kreun e ri të BKH-së?!

Duket se përgjigjet e individëve të pandershëm janë shumë të ndryshme nga ato të njerëzve të ndershëm, pasi ata që gënjejnë janë më shumë nervoz.

Kandidatët në këtë rast i nënshtrohen testit të pyetjeve të kontrollit, të njohurive të fajit apo informacionit të fshehur.

Tashmë, pas përfundimit të testit të poligrafit, kandidatët i nënshtrohen verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë.

Më pas do të bëhet edhe identifikimi i kandidatit fitues, trajnimi dhe propozimi për emërim që do t’i kalojë për votim Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Lini një Përgjigje